Sot është zhvilluar seanca e radhës dëgjimore në Komisionin për Ekonominë me disa prej kandidatëve për dy vakancat e shpallura në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vihet re se mes kandidaturave është edhe ish.zv kryeministrja Senida Mesi, e cika ka qenë sot në ambientet e parlamentit, duke prezantuar një anë tjetër të saj në komision si ekonomiste.
“Kënaqësia është e imja, pavarësisht se në një anë tjetër të tavolinës, ndihem i privilegjuar që mu dha mundësia të prezantohem dhe për karrierën time si një ekonomiste, bankiere në karrierë pedagoge e jashtme prej shumë vitesh dhe më pas në 2 pozicionet e fundit deri në shtator të këtij viti si anëtare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe për më pak se 2 vite zv.kryeministre”, tha Mesi.
Kandidaturat që kishin sot seancën e prezantimit
- Edvin Libohova
- Indrit Banka
- Elvin Meka
- Durim Kraja
- Mateo Spaho
- Manuela tandini
- Senida Mesi
- Marta Muço
Edhe dje në ambientet e Kuvendit është zhvilluar seanca dëgjimore me disa prej kandidatëve të tjerë të vetofruar për dy vakancat e shpallura. Pjesë e kandidaturave të vetofruara ishte dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, i cili në prezantimin e tij u shpreh se kandidon për këtë post pasi mendon se ka përvojën e nevojshme për të dhënë ndihmën e tij në ndryshimin e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Kandidatura e Angjelit mori mbështetjen e deputetit të PD-së në Komisionin e Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili tha se kjo është një kandidaturë ekselente.
“Vende të tilla në Bankën e Shqipërisë janë për individë me një eksperiencë dhe përvojë të madhe. Kështu që mendoj se zoti Anasatas Angjeli është një kandidaturë ekselente për këtë pozicion”, tha Spaho. be.k/abcnews.al