Senatori i përjetshëm Rama dhe “lodra” Partizani që lëngon

schedule11:59 - 5 Qershor, 2020

schedule 11:59 - 5 Qershor, 2020

Partizani përsëri lëngon. Me rikthimin e garës sërish cedon dhe e nis aty ku e la. Inkuadrimi i herëpashershëm i kamerave gjatë ndeshjes drejt drejtorit sportiv Rama sërish dicc deshën të thonin. Ose më saktë, ai vetë s’po arrinte të lexonte investimin e tij në fushë.

Një Partizan, që sërish rropatet dhe nuk ka fuqi, të reagojë, të predominojë, madje as të flasë, apo të ulërijë. Gjendet 18 pikë nga Tirana kryesuese dhe në dilemë të madhe për të arritur Europën. E favorizon shumë kalendari, por pas ndeshjes me Kukësin.

Pas titullit kampion, ky Partizan i këtij edicioni ka fituar vetëm një titull: atë të ecjes së investimit në kompleksin e tij sportiv. Vëmendja është spostuar atje, jo për të harruar fushën. Kurrsesi.

 

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, gjatë ndeshjes me Skënderbeun

Spektri i drejtorit sportiv gjatë disavantazhit 0-2 në Tiranë, lexonte jo pak trishtim. Mbase do të preferonte më shumë në heshtje që izolimi pandemik të kishte zgjatur, edhe për shumë kohë, si receta e vetme e klubit dhe xhestionimit Rama për të shpëtuar këtë sezon.

27 javë kampionat, vendi i 7-të, jashtë kupe, jashtë Europe momentalisht, me frikën drejt të tetit që luan play-out. Në heshtje, por të revoltuar, tifozët nuk e pranojnë kurrsesi këtë situatë. Skuadra nuk po di më si të reagojë.

Kukësi është stacioni kryesor për të justifikuar këtë sezon mjerisht larg objektivave. Sormani i qetë vijon të argumentojë përgjigjen e padhënë të lojtarëve të tij në fushë, teksa një trajner shqiptar do e kishin ekzekutuar sportivisht ne një kurbë të tillë rezultatesh, të një skuadre që nisi si kampion dhe mbeti thjesht dhe vetëm një lodër e bukur, e administruar keq.

Sidoqoftë ka edhe një fazë. Në provë, janë të gjithë, përveç Olsit që mbetet “senatore a vita” në klubin legjendar. /abcnews.al