Sekuestrohen 31 kilogramë kanabis në Mirditë, arrestohen 4 persona, mes tyre babë e bir

schedule14:29 - 1 Tetor, 2022

schedule 14:29 - 1 Tetor, 2022

Policia e Mirditës ka sekuestruar 31 kilogramë kanabis dhe ka vënë në pranga 4 persona, mes tyre babë e bir.

2 grupe operacionale nga Policia e Lezhës dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, të angazhuara paralelisht finalizuan operacionin antikanabis të koduar “Mashtërkor”.

U arrestuan F. Gj., 63 vjeç dhe G. Gj., 29 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Mashterkor, Mirditë, D. L., 23 vjeç, banues në Pukë dhe M. J., 19 vjeç, banues në Mirditë.

Në kuadër të operacionit “Mashtërkor”, njëri grup operacional, ndaloi në Rrëshen, për kontroll, shtetasit G. Gj., D. L. dhe M. J. Gjatë kontrollit, iu është gjetur në një çantë krahu dhe iu është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Njëkohësisht, grupi tjetër operacional ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të arrestuarve dhe konkretisht, në banesën e shtetasve F. Gj. dhe G. Gj. (babë e bir), janë gjetur të ndara në disa qese dhe janë sekuestruar rreth 31 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 8 palë gërshërë me mbetje lënde narkotike, të cilat dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike, me qëllim shitjen e saj.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

/Abcnews.al/