Autoritetet gjermane dhe polake kanë sekuestruar më shumë se 1,2 tonë kanabis me një vlerë në tregun e zi prej rreth 12 milionë eurosh (13,7 milionë dollarë) në portin e Hamburgut.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tetë persona në Polonia, ndërsa gjashtë prej tyre janë vendosur në paraburgim.
Sipas autoriteteve, dy nga të dyshuarit janë trafikantë droge nga distrikti i Diepholz dhe dyshohet se kishin rol në organizimin logjistik të transportit të drogës.
Hetimet tregojnë se grupi gjermano-polak kontrabandonte kanabis nga Tajlanda drejt Evropës me rrugë detare. Droga ishte fshehur në kontejnerë të ngarkuar me materiale ndërtimi që mbërritën në Hamburg.
Në muajin maj, hetuesit identifikuan një kontejner të dyshimtë dhe sekuestruan në mënyrë të fshehtë rreth 400 kilogramë kanabis, duke vijuar më pas mbikëqyrjen e dërgesës. Kur kontejneri mbërriti në qytetin Szczecin, pranë kufirit me Gjermaninë, policia arrestoi katër persona në një magazinë, mes tyre edhe një shtetas gjerman.



