Padyshim që do ta meritonte plotësisht. Taulant Seferi e tregoi këtë stinor se nuk është lojtar për ligat e dyta, edhe pse nuk e arriti elitën në Turqi me anë të ekipit të tij, Bodrumspor.
Sidoqoftë, sulmuesi që ka luajtur 26 herë me fanelën kuqezi, shkëlqeu në Ligën e Parë duke shënuar 16 gola e duke shërbyer plot 9 asistë në sezonin e rregullt, si dhe duke shtuar një tjetër rrjetë gjatë plej ofit për në Superligë.
Padyshim, njëri nga realizuesit më të mirë, e sidomos një nga krijuesit më të mirë të golave. Për të gjitha këto, sipas mediave turke, të paktën dy skuadra të Superligës turke kërkojnë shërbimet e tij.
Këto janë Rizespor, aty ku këtë vit shkëlqeu mesfushori i kombëtares, Qazim Laçi, dhe Kasëmpasha. Jo vetëm kaq, por edhe nga Franca del emri i Grenoblit që luan në ligën e dytë, por që synon të përforcohet dhe të ngjitet tek më të mirët.
Seferi është 29 vjeç, dhe këtë sezon doli shënuesi më i mirë ndër lojtarët me pasaportë shqiptare, duke qenë i dyti në Ligën e Parë turke pas shqiptarit të Kosovës, Florent Hasani që realizoi 18 rrjeta./abcnews.al



