Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë solemne për rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Seanca u hap me falenderimin e pjesëmarrësve nga vende mike të Kosovës dhe më pas intonimi i himinit kombëtar të Kosovës.
Për këtë event, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbajti një fjalim. Duke përmendur dhe të arriturat në dekadën e parë, ai vendosi edhe prioritetet për 10-vjeçarin e ardhshëm.
“Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, theksoi kryeparlamentari.
Ndërkohë, në këtë seancë solemne morën pjesë shumë politikanë dhe qeveritarë e drejtues shtetesh të ndryshëm. Mes tyre vlen të përmendet presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në Kuvend e mori fjalën kryeministri i Shqipërisë, i cili tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një politikë të jashtme, një president të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.
Edi Rama: “Kosova dhe Shqipëria sot janë dy realitete të ndara administrative. Por si pjesë e përbashkët e rrëfimi të përbashkët historik, një ndjenje të unifikuar shqiptare dhe një interesi të pandashëm politik, ato tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe një bashkëveprim politik e institucional të vazhdueshëm, në funksion të përafrimit të përbashkët të afrimit kombëtar të së ardhmes. Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë dhe ai histori. Dhe shqiptarët dhe serbët do të jetojnë në funksion të së ardhmes, si dy popuj me fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e BE-së. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një politikë të jashtme dhe jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo, një president të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafuturim, sot mund të mos jetë shumë i këshillueshëm në rrafshin e racionale, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”./abcnews.al