Avokati Edmond Petraj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, deklaroi se procesi ndaj Erion Veliajt është tashmë një “cikël i mbyllur”, duke theksuar se ish-kryebashkiaku i Tiranës nuk gëzon më mbështetjen e Partisë Socialiste apo të deputetëve të saj.
Sipas Petrajt, nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj mund të fitojë vetëm në bazë të nenit 62, por kjo nuk do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve në kryeqytet.
Ai kritikoi ashpër qëndrimin e politikës shqiptare në seancën e djeshme në Kuvend, duke e cilësuar “turp” mënyrën se si u zhvillua pyetësori ndaj institucioneve të drejtësisë. Petraj vlerësoi gjithashtu figurën e kreut të SPAK, Altin Dumani, si një person me integritet dhe të pakorruptueshëm gjatë katër viteve të fundit.
“E shikoj si një cikël të mbyllur procesin e Erion Velijat. Nuk mbështetet më as nga PS dhe deputetët. Veliaj në Kushtetuese marrëdhënien në shkarkim e fiton vetëm me nenin 62, por nuk pengohen zgjedhjet në Tiranë. Dje në Kuvend, kam parë turpin e politikës shqiptare që ne ata njerëz që i shikojmë për vite, bëjnë atë pyetësor të mangët dhe të mefshtë, si e si që të delegjitimonin punën e SPAK, pamë dhe mazhorancë që heshti. Në këto katër vite pashë imazhin e Dumanit si një njeri me integritet dhe të pakorruptueshëm”, tha Petraj.

