Sarri: Milani fitonte edhe me Dybala! Atalanta? Si të shkosh te dentisti…

schedule19:28 - 10 Korrik, 2020

schedule 19:28 - 10 Korrik, 2020

Juventusi nesër përballet me skuadrën e Atalantës, që vlerësohet maksimalisht nga trajneri Maurizio Sarri. Në konferencën e sotme për shtyp ai ka kërkuar të shmangin diskutimet për Champions League, që rinis në gusht, ndërkohë që ka cituar fjalët e Guardiola për rivalët e drejtuar nga Gasperini.

“Kjo është një fazë e rëndësishme e sezonit. Atalanta është një realitet dhe po bën paraqitje shumë të mira, sidomos në ndeshjet në transfertë. Bëhet fjalë për një kundërshtar të vështirë dhe kjo ndodh për një kohë të gjatë”, tha fillimisht Sarri.

I ngacmuar për Champions League, kjo edhe për shkak të shortit që u hodh sot, italiani shtoi: “Harrojeni, nuk më intereson. Tani për tani kemi vetëm një objektiv dhe është kampionati. Më pas do të mendojmë për ndeshjet e kthimit kundër Lyon.

Sot është aq larg në mendimet tona, ndaj nuk duhet të humbasim asnjë energji.  Përkufizimi më i bukur për Atalantën është ai i Guardiola (Trajneri i City, nëntorin e shkuar kishte thënë: “Është si të shkosh tek dentisti, mund t’ia hedhësh (të fitosh), por dhimbjen e ndjen”).

Gazetarët i kanë kujtuar Sarrit humbjen me Milanin dhe për ndikimin e mungesës së Dybala kundër kuqezinjve. “Që Dybala është një talent askush nuk e vë në dyshim, por pas ndërprerjes totale që iu bë futbollit, mendoj se edhe me të në fushë do të kishim humbur kundër Milanit”, tha mes të tjerash trajneri i Juventusit. /abcnews.al