Situata te Juventusi nuk është aspak e mirë. Ekipit i mungon loja dhe po has vështirësi të mëdha për të mposhtur rivalët. Maurizio Sarri ka përfunduar në qendër të kritikave dhe korit kundër trajnerit i është bashkuar edhe Giovanni Cobolli Gigli, ish-presidenti i bardhezinjve (2006-2009). 75-vjeçari nuk kursehet aspak në deklaratën e dhënë për TuttoJuve.com, teksa sulmon edhe drejtuesit e klubit.
“Nuk kam simpati personale për Sarrin, por ky është problemi im. Ai u shpreh se humbja në finalen e Kupës kundër Napolit ndodhi për shkak se u humbën dy penallti. Nuk mendoj se është korrekte të mohosh atë që duket. Juventusi e meritoi humbjen, vetëm Buffon e mbajti skuadrën në lojë gjatë kohës së rregullt.
Ekipi nuk ka një lojë, ndoshta Sarri ka harruar se si luhet. Ndoshta ka ardhur te Juventusi vetëm për para, në këtë pikë mund të ketë të drejtë De Laurentiis. E kam pohuar gjithmonë që ardhja e tij te ‘Zonja e Vjetër’ është diçka e gabuar. Një tip si ai nuk është në gjendje të menaxhojë komunikimin me të tjerët.
Drejtuesit? Nuk duhet të tregohen të pamatur, ky nuk është një klub që i ndërron shpesh trajnerët. Mendoj se kanë përgjegjësi edhe Nedved me Paraticin në këtë situatë që është krijuar. Ata e kanë bindur presidentin Agnelli për t’i dhënë besim trajnerit, duke nënvlerësuar problemet e krijuara.
Ndoshta nuk janë të aftë për pozicionet që mbajnë. Paratici ishte i aftë si ndihmës, por në rolin e drejtorit sportiv është shumë i ngathët. CR7? Agnelli donte të krijonte një super skuadër që do të fitonte gjithçka, por ardhja e tij ka krijuar pabarazi. Unë do t’i investoja te talentet e rinj paratë që u hodhën te portugezi“, deklaron Cobolli Gigli. /abcnews.al