Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi BE konfirmoi sanksionet ndaj Kosovës.
Haradinaj thotë se jo më kot para pak ditësh kërkoi mocion për shkarkimin e Albin Kurtit, pasi e dinte rrugën pa krye ku po futet Kosova.
Sipas tij, sanksionet e BE tregojnë se Kosova është në rrugën e gabuar dhe të pashpresë.
Ish-kryeministri bën thirrje se është koha që të bashkohen të gjithë dhe të jetësojnë shkarkimin e qeverisë Kurti.
Sipas tij, qëndrimi duarkryq në këtë situatë ku ndodhet Kosova është bashkëfajësi.
Reagimi i plotë
Të dashur qytetarë të Kosovës,
I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.
Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.
Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.
Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!r.t/abcnews.al


