Samiti për Tranzicionin Energjetik, i cili mbulon Europën Juglindore dhe Mesdheun Lindor, që u zhvillua në Athinë dy ditët e fundit, kishte sigurisht në fokus të gjitha zhvillimet gjeopolitike të javët të fundit, të cilët ndikojnë sektorin energjetik.
Ministra nga e gjithë Europa, kabinetet e tyre, por edhe përfaqësues të kompanive të mëdha janë ulur për të biseduar në tryeza të gjëra për konsultim, por edhe për vendimmarrje.
Zv.kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se energjia, ashtu siç tashmë ka treguar prej kohësh, është një nga armët më të fuqishme të të gjitha shteteve. Bashkërendimi i politikave, por, padyshim, edhe planet e përbashkëta për një të ardhme janë shumë të rëndësishme në këto momente.
“Kemi diskutuar me skuadrën shqiptare gjatë këtyre ditëve me të gjithë partnerët tanë, të cilët janë pjesë e projekteve të reja që kemi nisur, ashtu siç janë për shembull kompanitë italiane përsa i përket linjës nënujore të transmetimit apo edhe kompanitë dhe ministrat nga Azerbajxhani përsa i përket projektit të gazifikimit, por mbi të gjitha kemi diskutuar për sigurinë energjetike.
Siguria energjetike në Europën Juglindore, dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor, janë çelësat e suksesit për të gjithë zhvillimin e agjendës së gjelbër në vazhdim, ashtu siç Bashkimi Europian e kërkon.
Ne kemi marrë angazhimet tona, kemi diskutuar dhe kemi relatuar të gjithë progresin që kemi në fushën energjetike, duke nisur nga diversifikimi dhe padyshim nga interkonjeksioni, si një nga çështjet më të rëndësishme për t’u diskutuar tashmë në Europë. Shqipëria është angazhuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në energji për ndërtimin e përbashkët të Korridorit VIII i cili do të lidhë nga ana energjetike Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Gjithashtu, bisedime të rëndësishme kemi pasur edhe me ministren e Energjisë britanike e cila do të jetë edhe kryesuesja e të gjithë organizimit përsa i përket Dialogut të Berlinit në të ardhmen dhe, padyshim, mbështetja e Britanisë së Madhe kaq qenë dhe do të jetë gjithmonë e rëndësishme për Shqipërinë. Samiti i Tranzicionit Energjetik, i zhvilluar në Athinë, padyshim ishte një tjetër takim i frytshëm për të bashkërenduar punët dhe detyrat, për të punuar për qëndrueshmërinë dhe sigurinë energjetike dhe duke pasur gjithmonë parasysh mirëqenien e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duke pasur parasysh që energjia është dhe do të mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për sigurinë e të gjithë vendeve tona”, tha ajo.
/abcnews.al/