Shqipëria është krah Bashkimit Europian në sfidat aktuale të Perëndimit dhe mbrojtjen e vlerave demokratike. Nga forumi strategjik BLED në Slloveni, Kryeministri Rama deklaroi sërish këtë të hënë qëndrimet e Shqipërisë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Jemi tërësisht në krah të Ukrainës dhe për një arsye shumë të thjeshtë sepse duket surreale, jashtë realitetit që në kohët tona një vend në Europë të mund të ndryshojë kufijtë në mënyrë mizore, me forcë duke marrë atë çka pretendon që është copë apo pjesë e saj, kjo është krejt e pamundur për ta menduar. Megjithatë jemi mjaft të vetëdijshëm se jemi shumë të vegjël për të ndryshuar fatin e ndokujt. U përpoqëm për 50 vjet të ishim qendra e botës dhe nuk ishte ide e mirë kështu që jemi shumë krenar që tashmë jemi radhitur krah partnerëve dhe miqve tanë plotësisht krah SHBA si ju dhe natyrisht dhe BE dhe për ne është shumë e qartë, nuk ka asnjë lloj grije në mes, është bardhë e zi.”, u shpreh Rama.
Por, në fjalën e tij në panelin e liderëve, Kreu i qeverisë shqiptare u ndal tek procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.
“Këto botë paralele tashmë po pranë vendosen dhe ajo çfarë Ursula tha është absolutisht e vërtetë dhe është po kështu mjaft inkurajuese sepse një vit më parë këtu në Bled, ajo premtoi Planin e Ri të Rritjes e tashmë ky Plan i Ri i Rritjes është vënë në rrugën e duhur dhe jemi shpresëplotë që edhe më shumë gjëra do të ndodhin. Ndërkohë që, na duhet të kryejmë të gjithë punën neurotike për t’u konsideruar të gatshëm për të hyrë në Bashkimin Europian, duhet të marrim më shumë instrumente e të hyjmë në hapësira të ndryshme të Bashkimit Europian që përpara këtij Plani të Ri Rritjeje ishte diçka e palejuar për ne. Është një moment ku ndihem, pra të ndihesh pozitiv.“, tha Rama.
Në krah të homologëve nga Sllovenia, Kroacia dhe Serbia Edi Rama theksoi rëndësinë që ka përkrahja mes aleatëve në raste kërcënimesh.
“U ndjeva i inkurajuar sepse së fundmi dëgjova dikë tjetër e në këtë rast dikë që flet në emër të një shteti anëtar që tha se, apo tha diçka që e them që ditën e parë kur vjen fjala për hapjen e Ballkanit që është “puna e zellshme” e Vladimir Putinit. Ishte Vladimi Putini, të cilit iu desh të pushtonte një vend për të ndihmuar BE-në të kuptojë që jeton në një botë paralele sepse ky është edhe titulli i forumit, apo jo?”
Në këtë forum strategjik Kryeministri Rama mbështeti propozimin për të pasur një komisioner të përhershëm të zgjerimit për vendet e rajonit. Presidentja e Komisionit Europian vlerësoi ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian./abcnews.al