Samiti me Korenë e Veriut/ Pence paralajmëron Kim Jong-Un

schedule11:05 - 22 Maj, 2018

schedule 11:05 - 22 Maj, 2018

 “Mos u tall me presidentin Trump”. Ky është paralajmërimi i bërë nga nënpresidenti amerikan Majk Pens, drejtuar liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë i referohej samitit mes dy vendeve që do të zhvillohet në Singapor me 12 qershor.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka paralajmëruar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un që të mos tallet me presidentin Donald Trump nëse ata do të takohen muajin e ardhshëm. Në një intervistë për Foks Njuz, ai nënvizon se një lëvizje e tillë do të ishte “një gabim i madh nga lideri i Phenianit. Oence gjithashtu tha se nuk ka asnjë çështje që mund të ndikojë tek kreu i Shtëpisë së Bardhë për të braktisur samitin e 12 qershorit.

Ndërkohë, Koreja e Veriut ka kërcënuar më herët se do të bojokotojë takimin pas komenteve nga Këshilltari për Sigurinë KOmbëtare në SHBA, John Bolton. Pheniani reagoi ashpër kur zyrtari i administratës Trump sugjeroi se në këto bisedime do të ndiqej “Modeli i Libisë” për çarmatosjen bërthamore. Ish lideri i Libisë, Muammar Gaddafi u dakordësua me fuqitë perëndimore në vitin 2003 për të hequr dorë nga program nuklearë në këmbim të heqjes së sanksioneve. Por disa vite më pas, ai u vra nga duart e rebelëve që mbështeteshin nga perëndimi.

Gjithashtu, Koreja e Veriut është e zemëruar edhe për stërvitjet ushtarake mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut. Për këtë, Kim Jong-un ka ngrirë bisedimet me Seulin. Ndërkohë, gjatë të martës, presidenti i Jugut, Moon Jae-in do të takohet me Trump në Uashington për të diskutuar rreth planeve të samitit. Pavarësisht se Administrata amerikane shprehet e bindur për të vijuar me takimin, mediat hedhin dyshime. Nju Jork Tajms raportoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë po pyet këshilltarët dhe ndihmësit nëse duhet të vazhdojë me mbajtjen e samitit, që pritet të zhvillohet në Singapor me 12 qershor. /abcnews.al