Në Tiranë, NATO dhe…Yamin Yamal/ Rama: Nisim përgatitjet për samitin dhe çmimin botëror të futbollit

schedule08:41 - 10 Qershor, 2025

schedule 08:41 - 10 Qershor, 2025

TIRANË– Komunikimin e parë me qytetarët pas zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama e nisi me sinjalet pozitive që vijnë nga Brukseli për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Bëhet fjalë për hapjen e grupkapitujve Agjenda e Gjelbërt, Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, do të shënonin edhe hapjen e të gjithë grupkapitujve të anëtarësimit në më pak se 9 muaj.

“Kemi lajme të mira nga fronti i negociatave, urojmë shpresojmë dhe besojmë që së shpejti do të marrim lajmin e hapjes së një tjetër grup kapitujsh dhe sipas ambicies dhe planit të hapim edhe grupkapitullin e fundit, që t’i kemi të gjitha të hapura”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se ka nisur puna për organizimin e samitit të NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri në 2027 dhe do të presë lidërët më të rëndësishëm të botës, duke forcuar kështu edhe pozicionin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Ka ardhur grupi i inspektimit nga qendra e NATO-s në Bruksel për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës së mikpritjes dhe logjistikës. Topi është në fushën tonë për të shkuar përsëri në qendër me një masterplan të përgjithshëm të organizimit”, theksoi kryeministri.

Po ashtu, Rama zbuloi edhe diskutimin me organizatorët për të sjellë në Shqipëri Globe Soccer Aëards.

Rama u ndal edhe tek prioritetet e mandatit të katërt, me në krye zhvillimin ekonomik, turizmin, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, edhe si detyrim ndaj qytetarëve të cilët I besuan drejtimin e vendit edhe për katër vite të tjera.

“Populli shqiptar më kupton më mirë dhe më shumë se çmund të pretendoja, duke më inkurajuar dhe mbështetur dhe dhënë 1001 arsye që t’i qëndroj besnik dhe të bëj të pamundurën për të bërë sa më shumë për këtë vend dhe për njerëzit e këtij vendi, falë besimit, mbështetjes dhe pushtetit që buron nga ky popull, i cili, ua kam thënë të gjithë atyre që e marrin lehtë, që është një popull që të jep unë në bisht të lugës kështu që kush e merr lehtë bën një gabim të madh”, pohoi Rama.

Ndërsa një koment e kishte edhe për kundërshtarët politike, të cilët jo vetëm nuk pranojnë rezultatin por akuzojnë njëri tjetrin se I kanë vjedhur votat.

“Një gabim shumë të madh, aq monumental saqë mjafton të ndiqni të tjerë këtyre ditëve se në çfarë derexheje mendore janë katandisur për të kuptuar se çfarë të ndodh po e more lehtë këtë popull”, tha ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!