Salvini emigrantëve: Italinë do e shikoni vetëm në kartolinë

schedule11:50 - 29 Qershor, 2018

schedule 11:50 - 29 Qershor, 2018

“Anijet që shpëtojnë emigrantë do ta shohin Italine vetëm në kartolinë”, ishte reagimi i ministrit të Brendshëm italian, Salvini, mosbesues  për marrëveshjen e BE-së. Edhe vendet afrikane po refuzojnë ngritjen e qendrave të pritjes për emigrantët në territorin e tyre.

“Nuk i besoj fjalëve. Shohim që angazhime konkrete ka, pasi deri tani ka qenë gjithmonë ‘rroftë Evropa’ dhe më pas paguan Italia”.

Në këtë mënyrë, ministri italian i Brendshëm, Matteo Salvini, komenton marrëveshjen e arritur në samitin e BE-së për emigrantët. Zyrtari i qeverisë së Romës nënvizon se anijet e OJQ-ve, që shpëtojnë emigrant në det, do ta shikojnë Italinë vetëm në kartolinë. Salvini më tej akuzon këto OJQ, duke thënë: “Ata më konsiderojnë mua racist dhe fashist, por siç thonë ushtarët italianë dhe ata të libisë, ndihmojnë skafistët”.

Salvini ka konfirmuar se deri tani është arritur vetëm 70% e asaj që kërkon qeveria populiste italiane.

“Sigurisht që Italia nuk mund të lihet e vetme, kemi vendosur pikat mbi i dhe kemi arritur rezultate”, shton ministri, duke nënvizuar se nga e kaluara, ka ndryshuar diçka.

Më pas i është rikthyer sulmeve ndaj presidentit francez.

“Leksione nga një zotëri Macron që refuzon qindra gra, fëmijë dhe invalidë, unë nuk marr. Përpara se të na japë leksione, duhet të presë 9 mijë emigrant dhe deri më tani ka pritur vetëm 600. Deri në atë moment nuk mund të hapë gojën”, u shpreh Salvini.

Nuk ka vonuar shumë dhe Macron është kundërpërgjigjur. Presidenti francez thotë se qëndrat e pritjes me bazë vullnetare duhet të ngrihen në vendin e parë që emigrantët shkelin. Gjithashtu nënvizon se Franca nuk është një vend i parë mbërritje të refugjatëve. Ndërsa kryeministri i Spanjës ka komentuar arritjen e marrëveshjes, duke thënë se vendi i tij nuk do të ndërtojë kampe të tjera emigrantësh, pasi tashmë ekzistojnë.

Ndërkohë, nga ana tjetër kanë ardhur dhe reagimet e para nga vendet e Afrikës, ku BE parashikon të financojë ngritjen e kampeve për pritjen e refugjatëve të shpëtuar në Mesdhe. Ministri i jashtëm i Tunizisë, thekson në një intervistë se qeveria e tij kundërshton me forcë krijimin e qëndrave të pritjes për emigrantët. Këtë qëndrim e arsyeton me faktin se Tunizia kontrollon brigjet dhe territorin e saj.

“Në bashkëpunojmë me Italinë dhe Europën në operacionet e shpëtimit në det. Është detyrë e jona pasi bën pjesë në të drejtën ndërkombëtare”, shton Khamaies Jhinaooui.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!