Dosja hetimore që identifikoi autorin e vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi, i ekzekutuar në 30 dhjetor të vitit 2011 në Elbasan ka zbuluar edhe organizatorin dhe autorin e vrasjes së Fadil Memës në Torino të Italisë në vitin 2015. Në dokumentin e siguruar nga gazetari Artan Hoxha, prokuroria thekson se organizatori i vrasjes së Fadil Memës në Itali ishte Anastas Collaku.
Lexo edhe: Si u zbulua pas 10 viteve vrasja e biznesmenit: U paguan 80 mijë €
Në herën e parë Collaku dështoi për ta vrarë duke e lënë të plagosur, ndërsa më pas i mori jetën në 2015. Collaku organizoi vrasjen së bashku me një gjermano-grek, Dimitri Pavlidis, i cili qëlloi duke lënë të vdekur Memën, ndërsa Sajmir Serjani dogji makinën. Pas vrasjes Collaku dhe gjermano-greku, Dimitri Pavlidis u zhdukën në Gjermani.
Cfarë thuhet në dosje?
Në dosjen e prokurorisë theksohet se “Anastas Collaku ka qenë gjithmonë ndërmjetës i grupit kriminal, pra familjes në Elbasan dhe organizator i disa vrasjeve dhe atentateve për llogari të tyre. Anastas Collaku ka organizuar dhe ka marrë pjesë në vitin 2009 në Torino në atentatin ku mbeti i plagosur ish-efektivi i policisë Fadil Mema.
Në këtë rast Anastasi atentator mori kushëririn e tij Xhonin. Në 2015 Collaku organizon vrasjen e Fadil Memës në Torino, ku mori pjesë si atentator një gjermano-grek, Dimitri Pavlidis me bashkëpunëtor Anastas Collaku dhe Sajmir Serjanin, i cili ka ndihmuar në informacione dhe ka djegur makinën e përdorur në vrasje në zonën e Astit në Itali.
Më pas Dimitris Pavlidis dhe Anastas Collaku ikën në Gjermani” thuhet në dosjen hetimore. Prokuroria vijon hetimet për të zbuluar se për llogari të kujt e ekzekutoi Collaku, ish-efektivin e policisë në Elbasan Fadil Mema.
Saga e vrasjeve në Elbasan
Saga e vrasjeve në Elbasan e ka zanafillën pikërisht në vitin 2005, kur në një lokal pranë Universitetit ku tre persona, një prej të cilëve dyshohet se ishte Gentian Beqiri plagosën me armë zjarrin Sokol Çapjen pasi iu kërkuan klientëve të uleshin përtokë.
Ky i fundit u dërgua në spital por nuk mund t’u mbijetojë plagëve të rënda në trup. Vrasja e tij dyshohet se u krye pas një konflikti për 15 mijë euro që kishte pasur ai me Dritan Shemen. Të dyshuar për këtë krim, policia arrestoi Armand Hasanin, kunati i Fadil Memës Dritan Shemen, si dhe Gentian Beqirin, i njohur edhe me emrin Ardian Meta.
2006
Një vit më pas në vitin 2006, në një banesë në kryeqytet u vra Dritan Sheme, një prej autorëve të vrasjes së Sokol Çapjes. Po në atë vit mbeti i vrarë kunati i Fadil Memës, Ardian Ibrahimi, i cili u qëllua pranë autoshkollës që ishte në pronësi të Memës.
2009
Në vitin 2009, u vra ish- efektivi i antidrogës së Elbasanit Roland Rexhepi, i njohur edhe me nofkën Doda.
2012
Viti 2012 shënon vrasjen e dyfishtë të rikthyer në vëmendje pas arrestimit të një prej autorëve, Jorgo Leku. Në banesën e tij u vra Gentian Beiqiri, bashkë me babanë e tij Nezir Beqiri. (Lexo këtu si ndodhi ngjarja).
2015
Fadil Mema 54 vjeç, u vra me gjashtë plumba pistolete nga më shumë se dy persona me 14 Mars të vitit 2015 në Torino të Italisë. Mema kishte shërbyer për shumë vite si oficer policie në Elbasan dhe prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash në Itali. Djali i tij Eltoni iu tha mediave italiane se ata i dinin autorët e vrasjes së babait të tij.
2016
Në shkurt të vitit 2016 u vra me armë zjarri një tjetër anëtar i fisit Çapja, Agron Çapja, si dhe dy personave të tjerë: Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Shënjestër e radhës e atentateve të përgjakura ka qenë pikërisht Ardian Çapja, vëllai i Sokol Çapes.
Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata qëlluan nga një distancë e largët, por ku ai ka dëgjoi të shtënat dhe u fut në banesë. Ndërkohë në 6 gusht 2017 atë tentuan ta vrisnin me anë të një predhe e cila nuk shpërtheu. Sërish në qershor 2020 shpëtoi. (Lexo ketu atentatet ndaj Ardian Çapjes).
Përplasjet në Elbasan
26 Dhjetor 2005 vritet Sokol Çapja
28 Maj 2006 vritet Ardian Ibrahimi
15 Gusht 2012 vritet Gentian Beqiraj
15 Gusht 2012 vritet Nezir Beqiraj
14 Mars 2015 vritet Fadil Mema
03 Shkurt 2016 vritet Eno Badelli
03 Shkurt 2016 vritet Ardit Sinakolli
03 Shkurt 2016 vritet Agron Çapja
db/Abcnews.al