Saga e hakmarrjes mes dy fiseve në Mirditë! 5 viktima në 4 vite nga prishja e pazareve të drogës

schedule23:04 - 15 Shtator, 2020

schedule 23:04 - 15 Shtator, 2020

Atentati mbrëmjen e sotme kundër Preng Gjinit tronditi Tiranën, pasi u krye në një zonë mjaft të populluar, ndërsa ishte vijim i kalvarit të hakmarrjes së nisur disa vite më parë për prishje të pazareve të drogës. Në 4 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve Gjini dhe Reçi janë ekzekutuar 5 persona në Belgjikë, Romë dhe Shqipëri. Sajmir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi janë viktimat e hakmarrjes së egër mes dy fiseve.

Në datë 9 shtator të vitit 2016 u ekzekutua Sajmir Jaku në Rrëshen nga dy persona të armatosur. Sajmir Jaku ishte drejtori i OSHEE-së për zonën e veriut, ndërsa nga atentati mbeti i plagosur edhe një tjetër person. Jaku ishte së bashku me shokun e tij duke konsumuar një kafe në momentin që dy personat e armatosur hapën zjarr kundër tyre.

Një vit më pas në 28 prill në Itali u vra Gaspër Reçi 43 vjeç me 4 plumba. Ai u ekzekutua në Romë në banesën e tij, ndërsa autori nuk u zbulua. Në banesë në momentin e vrasjes ishte vetëm vajza e tij. Nga hetimet e autoriteteve italiane rezultoi se Reçi ishte me precedent në fushën e trafikut të drogës duke i çuar ngjarjet në pistën e hakmarrjes për prishjen e pazareve.

Nga Italia në Belgjikë. Viktima e radhës ishte Kreshnik Gjini 31 vjeç, që u ekzekutua 6 Shtator 2017 në komunën Forest. Dy persona të maskuar dhe të armatosur e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Gjini punonte në një lokal dhe u vra përpara koleges së tij. Në momentin kur shqiptari u fut në makinë, autorët e qëlluan direkt duke mos i lënë mundësi reagimi. Vrasja ishte e lidhur me atë në Rrëshen dhe Romë, por autorët nuk u zbuluan.

Viktima e radhës ishte Armando Gjini, i ekzekutuar në gusht 2019 në qendër të Rrëshenit. Ai njihej si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur nga mediat turke si “Eskobari shqiptar”. Në janar të këtij viti viktima e fundit e përplasjes mes fiseve ishte Kastriot Reçi. Ai u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit me snajper. 47-vjçari ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë. Sonte u realizua atentati i radhës ndaj Preng Gjinit, por fatmirësisht arriti që të shpëtonte me plagë të rënda te spitali i Traumës.

Viktimat
9 Shtator 2016 vritet Sajmir Jaku
28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi
6 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut)
12 Gusht të 2019 vritet Tonin Gjini
7 Janar 2020 vritet Kastriot Reçi

db / Abcnews.al