Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, njëherazi pedagoge në Universitetin e Tiranës, Belisa Muka, ka qenë e ftuara e radhës në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News.
Ajo ndër të tjera ka zbuluar se aktualisht dega e Arkeologjisë ka një interes nga të rinjtë, pasi është bërë shumë tërheqëse në forma të ndryshme dhe jep mundësi studimi nga terreni, në muze deri në eksperimente.
“Ka interes sidomos këto vite, sepse edhe vetë profesioni i arkeologut është bërë shumë tërheqës me të gjitha mundësitë që të ofrojnë në forma të ndryshme, arkeologjia e shpëtimit, arkeologjia e projekteve të programuara siç është rasti i arkeologjisë studimore që ne bëjmë në terren, ka arkeologji eksperimentale, arkeologjia urbane, pa llogaritur muzetë e shumtë që janë duke u hapur apo do të hapen së shpejti dhe pastaj menaxherët e trashëgimisë kulturore. Studentët e Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore janë një hallkë shumë e rëndësishme sepse krahas asaj që marrin nëpër auditore kanë mundësi që të punojnë në terren, në të tëra hallkat e punës nga gërmimi, dokumentimi, vizatimi, skicimi”, u shpreh Muka./abcnews.al