Rusia: Zgjerimi i NATO-s në Ballkan, rrezik për rajonin

schedule22:41 - 23 Prill, 2018

schedule 22:41 - 23 Prill, 2018

Rusia ka shprehur edhe njëherë shqetësimin nga zgjerimi i NATO-s me vendet e Ballkanit. Moska ka paralajmëruar se anëtarësimi i Maqedonisë është një eksperiment i rrezikshëm, që kërcënon sigurinë e rajonit dhe Europës.

Zgjerimi i NATO-s me vendet e Ballkanit përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ka paralajmëruar të hënën një deputete e vjetër ruse. Duke folur në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Bosnjes, Valentina Matvijenko e ka vënë theksin tek anëtarësimi i Malit të Zi dhe prirjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, duke shpërfillur vullnetin e gjysmës së popullsisë, është shkelja më e rëndë që i bëhet parimeve bazë të demokracisë”, ka thënë Matvijenko, kryetare e Dhomës së Lartë të Dumës ruse.

Sipas saj, Maqedonia po përpiqet të realizojë të njëjtin eksperiment të rrezikshëm.

“Dhe ky hap do të çojë drejt destabilizimit të mëtejshëm të situatës në rajon dhe do të minojë sistemin e sigurisë në Europë”, ka vijuar Matvijenko.

Qeveritë perëndimore e shohin anëtarësimin e Ballkanit në BE dhe NATO si të vetmen rrugë për të garantuar paqe dhe siguri në rajonin e trazuar. Mali i Zi iu bashkua aleancës ushtarake vitin e kaluar dhe shpreson të anëtarësohet në BE në vitin 2025, në të njëjtën kohë me Serbinë.

Kroacia, një tjetër vend që dikur i përkiste Federatës Jugosllave, u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe 4 vjet më pas në BE. Bosnja shpreson të arrijë anëtarësimin në një të ardhme të afërt, por përpjekjet e saj pengohen nga Republika Serbe, që sheh Rusinë si aleatin kryesor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!