Rusia tha se po tërhiqet, Stoltenberg zbulon “hilenë” e Putinit: Jemi gati për më të keqen

schedule10:47 - 16 Shkurt, 2022

schedule 10:47 - 16 Shkurt, 2022

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s po marrin pjesë në një takim dy-ditor në Bruksel, i cili fillon sot dhe ka në fokus zhvillimet në kufirin Rusi-Ukrainë si edhe rrezikun që paraqesin politikat e Putinit ndaj Europës.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili po kryeson bisedimet, u tha mediave jashtë se NATO është e gatshme të bisedojë nëse Rusia është e gatshme t’i japë një shans diplomacisë duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh, atëhere aleanca është gati edhe për më të keqen, raporton abcnews.al.

“Ne punojmë shumë për më të mirën, një zgjidhje politike paqësore, por jemi gjithashtu të përgatitur për më të keqen që Rusia pushton edhe një herë Ukrainën,” thotë ai.

Ai thotë se numri i trupave ruse në kufirin me Ukrainën vazhdon të rritet dhe pritet të vijohet me të njëjtën ecuri.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të bëjnë atë që thonë dhe të ulin realisht tensionet. Ulje e tensioneve do të thotë që tërheqja e trupave ruse të jetë reale për të shmangur çdo konflikt në Evropë”, shton ai.

Stoltenberg thotë se Rusia ka avancuar shumë duke dërguar në kufi pajisjet ushtarake dhe tani thotë se po tërheq forcat ushtarake. “Ata mund ta rikthejnë personelin shumë shpejt dhe shumë lehtë”, tha ai duke shtuar NATO duhet të shohë një tërheqje të qëndrueshme nga Rusia. /abcnews.al