Ministria e Jashtme ruse tha se më shumë se 900 ushtarë ukrainas që u dorëzuan në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol që nga 16 maji, janë dërguar në një qendër paraburgimi, shkruan BBC.
Zëdhënësja e Ministrisë Maria Zakharova tha të mërkurën se gjithsej 959 ushtarë ukrainas, përfshirë 51 të plagosur, ishin dorëzuar gjatë dy ditëve.
Ajo ripohoi se të plagosurit po marrin trajtim në spitalin në Novoazovsk në Republikën Popullore të vetëshpallur të Donetsk (DPR), ndërsa të tjerët u dërguan në një qendër paraburgimi në Olenivka, një qytet afër vijave të frontit, por në territorin e kontrolluar nga DPR.
Pala ukrainase nuk ka dhënë një përditësim për numrin e personave që janë evkuuar nga Azovstal dhe as për statusin e negociatave për shkëmbimin e tyre me të burgosurit rusë.
Amnesty International ka thënë se ushtarët ukrainas që u dorëzuan në fabrikën e çelikut nuk duhet të keqtrajtohen dhe duhet të kenë akses të menjëhershëm në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.
“Autoritetet përkatëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat e robërve të luftës në përputhje me konventat e Gjenevës,” tha Denis Krivosheev, zëvendësdrejtor i Amnesty për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.
/abcnews.al