Rusia kritikon Shkupin: Votimi parlamentar, pre e shantazheve

schedule22:40 - 22 Tetor, 2018

schedule 22:40 - 22 Tetor, 2018

Kremlini ka kritikuar votimin pro ndryshimeve kushtetuese të mbajtur të premten në Maqedoni. Në një reagim për shtyp, qeveria ruse ka deklaruar se kuorumi parlamentar u arrit përmes shantazheve dhe kërcënimeve politike.

Moska zyrtare ka kritikuar votimin për ndryshimet kushtetuese të mbajtur javën e kaluar në Parlamentin maqedonas, duke e cilësuar atë një proces të manipuluar. “Ajo që ndodhi është një shkelje e hapur e të gjitha normave, si nga këndvështrimi ligjor ashtu dhe ai moral. Manipulime të tilla nuk mund të jenë shprehje e vullnetit parlamentar”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Ministrisë së Jashtme ruse.

Në të theksohet se 8 votat e duhura për të arritur shumicën prej dy të tretat u siguruan përmes shantazheve, kërcënimeve dhe shit-blerjes së votës. Parlamenti maqedonas votoi të premten në mbrëmje në parim ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës, të cilat përfshijnë edhe ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut. Marrëveshja i jep zgjidhje kontestit që zgjat prej dekadash mes Greqisë dhe ish-republikës jugosllave, si dhe i hap Shkupit rrugën e anëtarësimit në NATO.

Kjo është dhe ajo që kundërshton Rusia, e cila i druhet zgjerimit të influencës së aleancës ushtarake në Ballkan. Pak muaj më parë, ambasadori rus në Shkup paralajmëroi se Maqedonia do të përballet me pasoja nëse anëtarësohet dhe lejon ngritjen e bazave ushtarake në territorin e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!