Rusia: Armët bërthamore në Bjellorusi do të zhvendosen pranë kufijve të NATO-s

schedule10:43 - 3 Prill, 2023

schedule 10:43 - 3 Prill, 2023

Rusia do të zhvendosë armët e saj taktike bërthamore pranë kufijve perëndimor të Bjellorusisë, tha të dielën i dërguari rus në Minsk, duke i vendosur ato në pragun e NATO-s, në një lëvizje që ka të ngjarë të përshkallëzojë më tej përplasjen mes Moskës dhe Perëndimit.

Në një nga përlajmërimet më të theksuara të Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës 13 muaj më parë, Presidenti Vladimir Putin tha më 26 mars se Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi.

Armët “do të zhvendosen në kufirin perëndimor të shtetit tonë dhe do të rrisin mundësitë për të garantuar sigurinë”, tha ambasadori rus në Bjellorusi, Boris Gryzlov, për televizionin shtetëror bjellorus.

“Kjo do të bëhet pavarësisht zhurmës në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.”

Gryzlov nuk specifikoi se ku do të vendosen armët, por konfirmoi se një objekt magazinimi pritet të përfundojë së shpejti, siç urdhëroi Putin, deri më 1 korrik dhe më pas do të zhvendoset në perëndim të Bjellorusisë.

Bjellorusia kufizohet në veri me Lituaninë dhe Letoninë dhe në perëndim me Poloninë, të gjitha pjesë e krahut lindor të NATO-s që është përforcuar me trupa shtesë dhe pajisje ushtarake pas pushtimit rus të Ukrainës.

SHBA dhe aleatët e tjerë të Kievit kanë thënë se ishin të shqetësuar për mundësinë që Rusia të dërgonte armë bërthamore taktike në Bjellorusi.

Presidenti Alexander Lukashenko tha të premten se Bjellorusia do të lejojë gjithashtu Rusinë të vendosë raketa bërthamore ndërkontinentale nëse është e nevojshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!