Rusi, prezantuesi televiziv paralajmëron “tradhtarët”

schedule18:41 - 8 Mars, 2018

schedule 18:41 - 8 Mars, 2018

Pak ditë nga helmimi i një ish-agjenti sekret në Britani, një prezantues i televizionit shtetëror rus ka paralajmëruar “tradhtarët” nga ekrani. Ndonëse është munduar t’i japë tone të moderuara mesazhit, prezantuesi ka lënë të kuptohet se këdo që tradhton vendin e pret vdekja.

Për ditë të tëra, televizionet ruse qëndruan në heshtje lidhur me helmimin e ish-agjentit rus të helmuar në Britani bashkë me vajzën e tij. Por në 24 orët e fundit situata ndryshoi. Prezantuesi i televizionit shtetëror Kanali Një, Kirill Kleimenov, në një emision informativ paralajmëroi hapur agjentët që vendosin të bëjnë lojë të dyfishtë në dëm të vendit të tyre dhe në favor të Britanisë.

“Unë nuk ia uroj vdekjen askujt, por më duhet të paralajmëroj këdo që ëndërron të bëjë diçka të tillë; profesioni i tradhtarit është ndër më të rrezikshmit në botë”, tha Kleimenov.

Ndonëse jo në mënyrë direkte, prezantuesi i njohur paralajmëroi se ata që kanë zgjedhur këtë rrugë i pret vdekja.

“Alkooli, vartësia nga droga, stresi dhe depresioni çojnë në atak kardiak. Pa harruar se edhe vetëvrasja është një sëmundje tipike e tradhtarëve”, vijoi Kleimenov.

Në vijim të mesazhit të tij, ai u dha edhe një sugjerim atyre që urrejnë vendin e tyre.

“Mos zgjidhni Britaninë për të jetuar. Ka diçka që nuk shkon atje. Mbase është klima, por në vitet e fundit janë regjistruar shumë incidente të çuditshme”, tha Kleimenov.

Ndërkohë, në Londër, ministrja e Brendshme, Amber Rud, deklaroi të enjten se agresioni ndaj ish-agjentit Skripal dhe të bijës Julia ishte një “akt i ashpër dhe i pamatur”.

Duke folur në Dhomën e Deputetëve, Rud theksoi se ngjarja ishte një tentativë e pastër vrasjeje, e kryer në mënyrën më mizore dhe publike. Ndonëse refuzoi të spekulonte nëse shteti rus mund të jetë përfshirë në sulm, ministrja shtoi se, përgjigjia e qeverisë do të jetë e fortë sapo faktet të dalin në dritë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!