Rudi Garcia karikon Lyon: Kualifikimi në duart tona, shanset janë 50 me 50

schedule23:18 - 6 Gusht, 2020

schedule 23:18 - 6 Gusht, 2020

Nesër rikthehet Champions League dhe Lyon do të luajë në Torino kundër Juventusit vendas në sfidën e kthimit të raundit të 1/8-ve. Ekipi francez ka fituar 1-0 takimin e parë dhe do të japë gjithçka për të mbrojtur atë avantazh e për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Trajneri i Lyon, Rudi Garcia shfaqet plot besim në konferencën për shtyp. Ai vlerëson kundërshtarët dhe thekson se të dy skuadrat kanë shanse të njëjta për t’u kualifikuar në raundin tjetër, aty ku i pret fituesi i çiftit Manchester City-Real Madrid.

E kemi gjithçka në dorën tonë dhe jemi gati të luftojmë për t’u kualifikuar. Juventusi ka luajtur më shumë se ne, por nuk duhet të mendojmë se ata janë të lodhur.

Na mungon ritmi i ndeshjeve, por kemi avantazhin e ndeshjes së parë. Finalja e Kupës së Ligës kundër PSG konfirmoi se jemi në gjendje të mirë. Më vjen keq që do të luajmë pa tifozë, futbolli është krijuar për ta.

Kualifikimi? Rezultati 1-0 i ndeshjes së parë na jep një farë avantazhi, por mund të them që shanset janë 50 me 50. Kam lexuar shumë kritika ndaj Juventusit, por ata fituan titullin e nëntë radhazi. Mjafton kaq për të treguar se çfarë niveli kanë si ekip“, thekson Garcia. /abcnews.al