Ka zgjatur më pak se 30 minuta normaliteti në seancën e sotme të Kuvendit e më pas kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci ka përjashtuar kryetarin e grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho.
Shkak është bërë një ndërhyrje e kryetarit të grupit democrat, i cili teksa kishte nisur diskutimi për pikën e parë të rendit të ditës, ka sjellë cështjen e ekstradimit të Nezar Seitit, një skandal sipas tij. Kryetari Ruci i ka ndërprerë fjalën, me argumentin se Spaho po fliste jashtë rendit të ditës. Kaq ka mjaftuar që deputetët e opozitës t’i afroheshin foltores ku ndodhej Spaho, duke kërkuar që kryetarit të grupit të mos i ndërpritej fjala.
Ruci ka ndërprerë tre herë seancën, duke kërkuar lirimin e foltores nga Spaho, pa sukses. Për pasojë kryetari i kuvendit mori masën e përjashtimit të kreut të grupit parlamentar nga seanca dhe i ka kërkuar gardës, largimin e tij nga salla, sipas rregullores.
Pas ndërprerjes së dytë, në sallë mbërriti edhe kryeministri Rama.
Por edhe pas ndërprerjes së tretë, deputetët e PD bashkë me Spahon vijuan të qëndrojnë pranë foltores. Kryetari i Kuvendit Ruci ka vijuar me rendin e ditës, duke i ftuar deputetët të merrnin fjalën nga vendi. Deputetët e opozitës nuk pranuan të merrnin fjalën. Me thirrjet “hajdut”, ata godisnin me duar tryezat, teksa flisnin kolegët e tyre socialistë.
Një pushim 20 minutësh u kërkua nga Taulant Balla për mbledhje grupi. Rifillimi i rradhës i seancës kishte të njëjtën panoramë, opozitën në foltore, ndërsa mazhorancën të vendosur për të diskutuar e votuar pikat e rendit të ditës./abcnews.al
/abcnews.al