Ruçi për dekretet e Presidentit: Nuk e ka lexuar mirë Kushtetutën

schedule12:58 - 18 Janar, 2019

schedule 12:58 - 18 Janar, 2019

Propozimet e kryeministrit Edi Rama për ndryshime në qeveri kanë përplasur edhe institucionin e parlamentit me atë të presidencës. Duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit dhe kreu i shtetit kanë lexuar nenet që justifikojnë qëndrimet e secilit.

Në debatin se kush e lexon siç duhet Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është përfshirë së fundi edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Shkak për ta cituar është bërë mosdekretimi i propozimit të parë të kryeministrit për të vendosur Gent Cakajn në detyrën e ministrit të Jashtëm.

“Neni 1 i Kushtetutës në paragrafin e tij hapet me fjalinë Shqipëria është Republikë Parlamentare do të thotë që nga Presidenti emërohen e shkarkohen nga parlamenti”, tha Ruçi.

Vazhdon t’i japë leksione kushtetuese Presidentit të Republikës duke i cituar nenin 93.

“Neni 93 thotë Presidenti nxjerr dekrete. Edhe kur jep apo nuk e jep pëlqimin duhet të nxjerrë dekret, se është kopetencë e Kuvendi të shprehet. Kryeministri bën propozimin presidenti jep pëlqimin, parlamenti nxjerr vendimin”, u shpreh Ruçi.

Me kushtetutë në dorë rri edhe kryetari i shtetit. ka edhe ai dy nene për ti cituar kryeministrisë dhe parlamentit.

“Ja çfarë thotë neni 98: Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 99: Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Çfarë do të thotë kjo se nuk e di ku është shkelja këtu”, theksoi Meta.

Libri që rregullon e përcakton detyrat e secilit është i njëjti, por leximin e bëjnë ndryshe.
“Nuk ka dy emërime. Kryeministri sipas Kushtetutës bën propozimin, Presidenti sipas leximit jep pëlqimin, parlamenti nxjerr vendimin”
, shprehet Ruçi.

Fjala e fundit i takon GJykatës Kushtetuese e cila do ti krijojë bindjen e munguar Presidentit të Republikës. Është ky pretendimi i mazhorancës që po qëndron në pritje të ngritjes së institucionit më të lartë të drejtësisë.

“T’i lemë këto, le të presim ditën e orën që Gjykata Kushtetuese të ngrihet dhe lidhur me ketë interpretim të shprehet ajo dhe të heshtin të gjithë”, tha Ruçi.

“Presidenti i Republikës, jo më kot dhe jo rastësisht është institucioni më i mbrojtur kushtetues në Shqipëri”, u shpreh Meta./abcnews.al