Deklaratat e fundit të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sinjalizojnë një qasje më të butë dhe bashkëpunuese të SHBA-së ndaj Europës, në një kohë kur dinamika gjeopolitike po ndryshon me shpejtësi.
I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Lulzim Veliu u shpreh se bota është tashmë në prag të një rendi të ri, ku Europa po merr një rol gjithnjë e më të fuqishëm në krah të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Veliut, deklarata e Rubios dëshmon se Uashingtoni e konsideron Europën një aleate kyçe dhe jo një aktor dytësor në arkitekturën e re të sigurisë globale. Ai theksoi se vendet e Bashkimit Europian, të ndikuara edhe nga kërcënimi i vazhdueshëm që vjen nga Rusia, kanë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe siguri kombëtare.
“Është folur gjatë për një rend të ri botëror, që tashmë është duke ndodhur. Deklarata e sekretarit të SHBA, dëshmoi se SHBA e shikon Europën si një prej aleatëve në krah të tyre. I është dhënë një mbështetje, kështu edhe vendet e Europës kanë filluar të shikojnë sigurinë e tyre kombëtare.
Të gjitha vendet e BE, duke parë edhe rrezikun që vjen nga Rusia janë duke investuar shumë më tepër se sa në të kaluarën për sigurinë e tyre kombëtare dhe vendet e Europës janë duke u fuqizuar. Unë jam i mendimit që nëse për 2 vitet e ardhshme nuk do të kemi një luftë në mes të Europës, do të kemi një fuqizim shumë të madh të Evropës, saqë mund të mbrohet e vetme ndaj Rusisë.
Do të kemi një rend të ri botëror, këtë proces SHBA nuk e shikon si të vetëm, por krah aleatëve europianë”, tha eksperti.


