Rryshfet për KEMP invaliditeti, dënohet mjeku

schedule20:48 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 20:48 - 2 Dhjetor, 2018

Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor një mjek të denoncuar nga programi investigativ “STOP” si sekser ne Komisionin që cakton përfituesit e KEMP-it të invaliditetit. Florin Paloka u dënua me 6 muaj burg për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, por dënimi i tij u konvertua në 100 orë punë të papaguar në interes të publikut. 

Gjykata e Tiranës ka deklaruar të fajshëm një mjek të poliklinikës nr.10 në kryeqytet, të akuzuar për përfshirjen në një aferë korruptive me qëllim trajtimin me KEMP të një invalidi. Çështja ku u përfshi mjeku Florin Paloka u denoncua nga programi investigativ “Stop” në Tv Klan në Tetor të vitit 2017.

Përmes një video-regjistrimi të fshehtë “Stop” shfaqi mjekun teksa i merrte shtetasit me iniciale S. N. një shumë prej 100 mijë lekësh, me qëllim dhënien e tyre tek një person tjetër në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të Invalidëve (KMCAP) për t’i mundësuar Kempin.

Dyshimet e ngritura më tej nga Prokuroria u vlerësuan si të bazuara në prova në Gjykatën e Tiranës. ABC News ka siguruar një kopje të vendimit që shpall fajtor Palokën për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ai u dënua me 6 muaj burg, por nuk do të shkojë në qeli. Gjykata zëvendësoi dënimin me burg me një dënim alternativ, duke detyruar Palokën të kryejë 100 orë pune në interes të publikut. Gjatë gjykimit i pandehuri ka pranuar fajësinë dhe ka shfaqur pendesë të thellë për veprën e kryer./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!