Rruga e Shishtavecit po dëmtohet e gjitha

schedule12:43 - 9 Shtator, 2018

schedule 12:43 - 9 Shtator, 2018

Rruga e Shishtavecit në Kukës është një nga investimet që ka lidhur banorët e dhjetra fshatrave dhe ka shkurtuar distancën me qytetet Kukës dhe Dibër. Por për shkak se askush nuk po e mirëmban ajo po shkatërrohet çdo ditë e më tepër.

 

Rruga e re, e përfunduar vitin e kaluar, ka ndryshuar gjithë zonën e Shishtavecit dhe 14 fshatrave që lidhen me këtë aks të rëndësishëm.
E kanë afruar më shumë me pjesën tjetër të vendit e më gjerë, e aq më shumë kur bëhet fjalë për destinacion turistik. Të larguarit e dikurshëm po kthehen për të parë vendlindjen.

Një familje e Novosejt e larguar që në 1949 nga regjimi i asaj kohe sot jeton në Shtetet e Bashkuara e në Belgjikë. Dalife Bakalli ka lindur në Novosej dhe është larguar nga vendlindja në moshën 5 vjeçare. Sot është kthyer për herë të parë pas 69 vitesh.

Dalife Bakalli: “Zemra më është bërë aq. Në vend të babës ku kam lindur, frymën e parë e kam marrë këtu. Kam dy djem e u kam thënë që du me shku me pa vendin ku kam lind.”

Por gjithë ai investim për rrugën që kalon 28 milionë dollarë, duket se po shkon dëm. Ka mbetur pa mirëmbajtje, e në segmente të veçanta është dëmtuar edhe trupi i rrugës. Autoriteti rrugor shqiptar ka tenderuar mirëmbajtjen vetëm për segmentin e parë të këtij aksi prej 11 km, duke lënë në mëshirë të fatit 23 kilometra të tjerë. Banorët mendojnë se pavaresisht nga investimi i shumëpritur, pa mirëmbajtjen e kësaj rruge do te rrinë sërish të izoluar në pjesën më të madhe të vitit.

Banori 1: “Me rrugën në këtë zonë ka qenë një fitore e madhe, kurse me mirëmbajtjen kjo vitin tjetër po del jashtë përdorimit për mosmirëmbajtje. Kur të vijë pranvera sa të kalojë dimri këtu nuk do të ketë rrugë më.”
Banori 2: “Për rrugën kemi kënaqësi të madhe që është bërë, mirëmbajtje s’ka fare.”
Banori 3: “Nuk ka interesim fare.”

Bashkia e Kukësit ka trokitur në çdo institucion për procedurën e kësaj rruge. Vetëm Kryeministrit i janë dërguar disa herë kërkesa, por përgjigjet nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje. Ndërkohë, dimri nis shumë herët në këtë zonë që shtrihet mbi 1000 metra lartësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!