Kryeministri Edi Rama njoftoi një tjetër rritje pagash për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Teksa zhvilloi një bashkëbisedim me mësues në Tiranë, Rama u shpreh se mësuesit në shkollën 9-vjeçare do të kenë një pagë, 95,550 lekë dhe mësuesit në shkollën e mesme, do ketë një pagë 106,800 lekë.
“Me siguri ju e keni dëgjuar që ne kemi vendsosur të bëjmë një rritje te ndjeshme të pagave. Tani i kemi mundësitë që ta bëjmë këtë gjë. Në fund të ditës, nuk është çështje dëshire, por edhe mundësie. Kapaciteti për të qëndruar në atë kontratë, garantohet nga rritja ekonomike. Rritja që do të bëjmë lidhet me faktin që ne bëmë një rritje përtej parashikimit të pagës minimale. Pamë që mundësia e rritjes së përgjithshme të pagave u krijua sepse është shumë e rëndësishme që paga minimale të shtyjë edhe sektorin privat. Kur paga minimale rritet, duhet të bëhet i gjithë korrektimi. Kemi bërë një plan me dy hapa që do të nisë tani dhe do të mbyllet vitin e ardhshëm.
Për mësuesit dhe mjekët ishte parashikuar rritje 7%, do bëjmë rritjen 7%. Në hapin tjetër, vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Nëse sot që flasim, rritja mujore do të jetë midis 3584 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollës së mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit, tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollën 9-vjeçare do të kenë një pagë, 95,550 lekë dhe mësuesit në shkollën e mesme, do ketë një pagë 106,800 lekë. Këto janë bazat, pastaj do ketë sipas kualifikimeve, ky është niveli i pagës së mësuesve”, theksoi ai./abcnews.al