Nga Ajgena Korbi
Kthimin e studentëve në auditore, specialistët e Komitetit Teknik për COVID-19 e shohin si rrezik për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në vend, për tre arsye.
“Është një grupmoshë aktive dhe janë transmetues shumë të mirë sepse qëndrojmë dhe në grupe. Kemi auditorë masive, me shumë studentë në leksion, prandaj u mor edhe një vendim i tillë”, tha Tomini.
Këto, por dhe numri i lartë i të infektuarve javët e fundit, personat që kanë nevojë për trajtim spitalor dhe ata për terapi intensive sipas shefes së Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik Eugena Tomini, detyruan ekspertët e shëndetësisë ti kthehen masave shtrënguese.
Karantina totale apo gjeografike sipas Tominit janë mundësitë e fundit, por nëse të prekurit vijojnë rritjen nuk do të mungojnë kufizimet e tjera.
“Është duke u vlerësuar në mënyrë sistematike që baret dhe restorantet, kryesisht në disa zona të Tiranës shohim që ka grumbullime masive. Karantina do të jetë e padëshirueshme nga të gjithë ne. Do të jetë…karantinë kombëtare, në nivel kufitar me të gjithë shtetet e tjera, por edhe brenda vetes me të gjithë rrethet e Shqipërisë.
Do ta theksoja si një element të fundit dhe të gjithë anëtarët e Komitetit janë në të njëjtin mendim, por duhet të vlerësohen të gjitha mundësitë e mëparshme për të mos arritur deri tek efekti i karantinës”, sqaroi Tomini.
Aktualisht në të gjithë vendin, numri i personave me koronavirus i ka kaluar 8800.
Dominuese janë vatrat familjare, ato në institucione dhe biznese.
Mundësia për të rënë në kontakt me virusin është rritur, ndërkohë që duket se këtë po e bëjnë më të lehtë dhe kontaktet e të infektuarve aktiv që nuk respektojnë izolimin.
“Mosrespektimi i karantinës nga personat e kontaktit do të na shtojë pozitivitetin, por edhe transmetueshmërinë. Ndaj i bëjmë thirrje popullatës që të respektojnë karantinën, jo vetëm persona pozitiv, por edhe ata që janë kontakt i ngushtë familjar”, shtoi më tej Tomini.
Numrin më të lartë të infektuarve e përbën grupmosha 50- 55 vjeç e lart, ndërsa COVID-19 po shfaqet me agresiv tek moshat më të thyera dhe me sëmundje të tjera./abcnews.al/