Bardhi: PD do të fitojë zgjedhjet

schedule21:04 - 11 Qershor, 2020

schedule 21:04 - 11 Qershor, 2020

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në “Mbrëmja në Abc” ka folur ndër të tjera edhe për marrëveshjen e arritur për Reformën Zgjedhore si dhe ndryshimin e Sistemit.

Lidhur me këtë çështje, Bardhi u shpreh se PD është e hapur për të diskutuar për ndryshme, por shtoi se ndryshimi nuk mund të bëhet nga një grup politikanësh, por duhet vendosur nga vullneti i popullit.

Bardhi u shpreh: “PD ka qëndrimin e vet për Sistemin Zgjedhor, kemi qenë të hapur për të diskutuar për ndryshimin e sistemit, por nuk mund të jenë politikanët e parlamentit ata që do të vendosin për gjithçka në këtë vend. Nuk mundet që një grupim… do duhet ta ndryshojë vullneti i shumicës së shqiptareve, duhen pyetur shqiptarët.”

Ndërsa, i pyetur nëse PD do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 2021, Bardhi deklaroi se patjetër që do ta njohin “pasi fituesit i njohin gjithnjë zgjedhjet.

Sekretari i Përgjithshëm i PD: “Zgjedhjet do t’i fitojmë dhe sigurisht që fituesi i njeh gjithmonë zgjedhjet, uroj që Edi Rama të heqë dorë nga çdo metodë, që do ta detyronte vendit të mos ofronte demokraci, edhe nëse nuk heq dorë, ne do të mbrojmë çdo votë. Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme do të jetë pakicë.”

Nga ana tjetër, duke folur për rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus dhe të shtruarve në spitale si dhe për deklaratën e bërë së fundmi nga kryeministri Rama, Bardhi u shpreh se kreu i qeverisë duhet të mbajë fjalën që jep.

Sipas tij, në vend që të trembë shqiptarët, Rama duhej të kishte mbrojtur mjekët ndërsa shtoi se vatrat kryesore janë në këtë moment QSUT dhe “Shefqet Ndroqi”.

Bardhi: “E para kryeministri  duhet t’u qëndrojë gjërave që thotë. T’i informojë shqiptarët përpara se të mundohet t’i trembë. Vatrat më të mëdha janë spitalet. Situata në QSUT është shqetësim real dhe përgjegjëse është qeveria. Qeveria  ka detyrimin t’i pajisë mjekët me mjete mbrojtëse. Nëse ti si qeveri je e paaftë t’i mbrosh mjekët, kurseju sulmet.. Kryeministri në vend që të dalë e të flasë për situatë të rënduar duhet të shkarkonte ministren e shëndetësisë dhe drejtorin e QSUT. Vatrat më të mëdha janë QSUT dhe Sanatoriumi.” 

I pyetur nëse mendon se do të kemi një mbyllje të dytë, Bardhi u shpreh se kryeministri fillimisht duhet të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve dhe biznesit të vogël, që nga mbyllja e parë, dhe më pas janë ekspertët ata që vendosin.

Kurse, për marrjen e Eurobondit, Bardhi deklaroi se “Edi Rama është kryeministri i vetëm që e konsideron sukses marrjen e borxhit për të shlyer borxhin”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!