Rritja e çmimeve, qytetarët sërish protestë para Kryeministrisë, bashkohen edhe fëmijë

schedule18:18 - 18 Tetor, 2021

schedule 18:18 - 18 Tetor, 2021

Për herë të 3-të qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë dalë në protestë për rritjen e çmimeve të energjisë dhe të bukës. Protesta është zhvilluar para kryeministrisë, me thirrjet për të mos rritur çmimet, pasi kjo rëndon xhepat e qytetarëve. Me pankarta nëpër duar, ata thonë se rritja e çmimeve është e përballushme për shumicën e qytetarëve të thjeshtë të cilët jetojnë me të ardhura minimale. Ndryshe nga herët e tjera, sot ka pasur një numër të shtuar edhe të fëmijëve të vegjël të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Përpara ambienteve të kryeministrisë ishte ngritur edhe një kordon me efektivë policie, ndonëse ishin më pakët në numër krahasuar me protestat e mëparshme. Kjo protestë është simbolikë e kërkesave të qytetarëve për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, si pasojë e krizës globale energjetike.

Lexo edhe: Pensionisti i revoltuar: Politikanët lëvizin me “tanke”, unë nuk kam një biçikletë

Dhuna nuk ka qenë e pranishme në asnjë prej protestave të zhvilluara kundër rritjes së çmimeve, por shkak të numrit të qytetarëve të grumbulluar është bllokuar vetëm një pjesë e bulevardit.

Lexo edhe: Rritja e çmimeve, nis protesta e 3-të para kryeministrisë, bashkohen edhe fëmijë

Katër kërkesat e qytetarëve:

  • -Ne propozojmë heqjen e TVSH për ushqimet e shportës.
  • -Kërkojmë uljen e TVSH-së në masën 10% të çmimit të energjisë për bizneset e vogla dhe familjet.
  • -Heqjen e taksës së qarkullimit në naftë
  • -Heqjen e akcizës së gazit

Teksa kriza energjetike ka prekur tregjet ndërkombëtare dhe rrezikon edhe vendin tonë, qeveria shqiptare ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka hartuar një plan pwr pwrballimin e saj. Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Kjo ishte një nga pikat e planit për të mbrojtur konsumatorin. Për përballimin e kësaj krize, që faza agresive pritet të jetë deri në 6 mujorin e vitit tjetër, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 200 mln euro, 100 prej të cilave do të shkojnë për OSHEE dhe 100 mln euro të tjera për zbatimin e 2 pikave të tjera të planit, pra mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit.

Plani i qeverisë për krizën energjetike:
1.Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
2.Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3.Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

Rritja e çmimit të bukës e produkteve ushqimore dhe kriza energjetike ka bashkuar qytetarët që të protestojnë. Si duket turi i protestave do të vijojë. be.k/Abcnews.al