Shqipëria dhe Kosova kanë shtuar bashkëpunimin ekonomik gjatë viteve të fundit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet vetëm në dy muaj janë rritur me 1 miliard lekë krahasuar me fillimin e vitit 2025 duke shkuar në 6.3 miliardë.
Po ashtu, rritje ka pasur edhe në mallrat që ne blejmë nga Kosova duke arritur në 1.8 miliardë lekë.
Por pavarësisht kësaj në forumin e biznesit Shqipëri-Kosovë u theksua se ka ende hapësirë ku vendet mund të shtojnë marrëdhëniet ekonomike.
“Çdo vit shohim një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, por edhe të shërbimeve. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Ka ardhur sepse bizneset tona kanë filluar ta shohin njëri-tjetrin, jo më si një të panjohur, por si një partner i besueshëm dhe i rëndësishëm. Por na duhet të pranojmë, se a është kjo e mjaftueshme? Them që ende ka hapësirë. Ne kemi potencial për shumë më tepër dhe ky potencial nuk është vetëm fjala për diçka që ndodh para syve tanë, por edhe për atë që nuk po e shfrytëzojmë”.
Drejtoresha e Agjensisë së Investimeve LAURA Saro tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të përballuar konkurrencën dhe sfidat globale.
“Ju keni qenë gjithmonë në 5 vendet më dominante, por dëshira e madhe dhe vullneti nuk ka na lë që të mos rreshtim këtu, por të vazhdojmë dhe të intensifikojmë sinergjitë midis bizneseve tona. Në këtë kontekst, roli i AIDA është shumë kryesor dhe patjetër na duhet mbështetja e odës dhe duhet të bëhemi bashkë që të kemi sa më shumë projekte të përbashkëta”.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se po punohet për të ulur edhe më tej burokracitë për bizneset midis dy vendeve.
“Absolutisht, përpjekjet janë shumë pozitive për të shmangur çdo burokraci dhe çdo element tjetër, në bazë të gjitha rregullave dhe ligjeve, ata të investojnë dhe të investojnë fuqishëm në Shqipëri. Kosova është gjithashtu investitori më i madh rajonal në Shqipëri”.
Sipas të dhënave zyrtare Kosova mban vendin e parë edhe në nivelin e investimeve të realizuara në vendin tonë.
Në periudhën janar-shtator 2025 Kosova vijon të pozicionohet e para për sa i përket investimeve, duke arritur vlerën 153 milionë euro. Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen kryesisht në shërbime dhe tregti, ku po zgjerohen në tregtinë me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, por edhe në industrinë përpunuese./abcnews.al


