Shpërqendrimi në timon me telefon, shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara po çojnë në një rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore në vend. Eksperti i sigurisë rrugore, Islim Qibini, deklaroi për “Tirana Live” në ABC News se humbja e kontrollit mbi mjetin mbetet shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve.
Ai kritikoi ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor si të pjesshme dhe të bëra pa konsultimin e specialistëve. Qibini kërkoi nga Drejtoria e Policisë Rrugore të rrisë monitorimin në akset ku abuzohet me shpejtësinë.
Ndërkohë, ai apeloi ndaj shoferëve të ruajnë distancën e sigurisë dhe të respektojnë rregullat për të parandaluar përplasjet nga mbrapa.
“Kemi një rritje të ndjeshme të aksidenteve automobilistike. Shkaku kryesor është humbja e kontrollit nga drejtuesi I mjetit. Por, shkaku kryesor është tejkalimi i kufijve të shpejtësisë në akset rrugore të vendit, por edhe parakalimet.
Tërheqja e vëmendjes gjatë dhënies së automjetit ka shkaqe të ndryshme, si mbajtja e telefonit, duke shpërqendruar vëmendjen në drejtime të ndryshme, jo në dhënien e automjetit. Ndryshimet që janë bërë në Kodin Rrugor janë ndryshime të pjesshme, nuk është marrë vendimi i specialistëve.
Duhet që Drejtoria e Policisë Rrugore duhet që të monitorojë këto akse, ku drejtuesit ecin me shpejtës dhe bëjnë parakalime të gabuara. Duhet me patjetër që drejtuesit e mjeteve të mos kalojmë shpejtësinë dhe të mbajnë distancën nga mjeti në mjet, që të parandalohet goditja nga mbrapa e automjetit”, tha eksperti.

