Të huajt kanë blerë rekord banesash gjatë vitit të kaluar në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 561 milionë eurove, në rritje me 48% krahasuar me vitin 2024.Ndërkohë që vetëm në fund të vitit të kaluar 25% e blerësve të banesave kanë rezultuar të huaj. Nga këta, rreth 52% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur një prirje në rritje gjatë 5 viteve të fundit.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.1 muaj nga 11.6 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin
e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 8.1 nga mbi 11 muaj ndërsa u shtua në zonat bregdetare.
Sipas Bankës së Shqipërisë indeksi Fischer tregon që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 11.7% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 28% në krahasim me një vit më parë. Por pavarësisht kësaj nëse krahasohet me një vit më parë kjo rritje rezulton më e moderuar. Financimi nëpërmjet kredisë bankare
ka vijuar të shoqërojë një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Po ashtu sipas Bankës së Shqipërisë edhe Çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Ky informacion mbi kërkesën dhe
çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa
e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa e gjashtëmujorit të mëparshëm.


