Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Rriten sulmet kibernetike ndaj NATO-s dhe Evropës, dyshime për përfshirje ruse

schedule07:48 - 16 Prill, 2026

schedule 07:48 - 16 Prill, 2026

Sulmet kibernetike ndaj objektivave të NATO dhe vendeve evropiane janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë digjitale në rajon.

Sipas raportimeve të mediave të huaja një rrjedhje masive e të dhënave me origjinë ruse ka nxjerrë në pah përmasat e këtyre sulmeve.

Në mesin e objektivave kanë qenë qindra email-e të prokurorëve dhe zyrtarëve në Ukraina, vendet e NATO-s dhe Ballkanit.



Raportohet se 27 llogari të Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë janë vënë në shënjestër, megjithëse këto ishin llogari të paklasifikuara dhe nuk përmbanin informacione sekrete.

Autoritetet greke sqaruan se për komunikime të klasifikuara përdoren sisteme të veçanta me masa të shumta sigurie, ndërsa çdo incident shqyrtohet nga strukturat përkatëse të mbrojtjes kibernetike.

Ndërkohë, incidenti ka pasur jehonë edhe në Rumani, ku dhjetëra email-e të Forcave Ajrore u komprometuan.

Ministria e Mbrojtjes rumune konfirmoi se të dhënat e prekura nuk ishin të klasifikuara dhe se shkelja, e zbuluar në mars 2025, u izolua brenda 24 orëve.

Sipas të dhënave, janë komprometuar të paktën 284 llogari email-i gjatë periudhës shtator 2024 – mars 2026, megjithëse ekspertët mbeten të kujdesshëm për identifikimin përfundimtar.

Situata ka nxitur debat të ri në Bashkimin Evropian për forcimin e politikave të përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.

Në Suedi, autoritetet deklaruan se kishin parandaluar një sulm kibernetik pro-rus ndaj një termocentrali gjatë vitit 2025.

Ministri i Mbrojtjes Civile, Carl-Oskar Bohlin, theksoi se këto sulme synojnë të shkaktojnë edhe pasoja fizike, duke i krahasuar me sabotimin e infrastrukturës kritike.

Zyrtarët suedezë paralajmëruan se kërcënimet janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke sinjalizuar një përshkallëzim të vazhdueshëm të luftës hibride në Evropë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!