Rriten pensionet në tetor/ Qeveria: Indeksimi 4,1 përqind, përfitojnë afro 800 mijë pensionistë

schedule11:39 - 18 Shtator, 2024

schedule 11:39 - 18 Shtator, 2024

Mbi 791 mijë pensionistë duke nisur nga 1 tetori do të përfitojnë një rritje pensioni që varion nga 453 lekë për pensionet e ulta deri në 1.200 lekë për pensionet në qytet. Ministri i ekonomisë dhe i kulturës Blendi Gonxhja tha se fondi i vënë në dispozicion është 1.6 miliardë lekë.

“Nga ky vendim përfitojnë 791 257  pensionistë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendim janë rreth 17 milionë euro vetëm për tre muajt e vitit 2024. Dihet që synimi kryesor i indeksimit është të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit. Qeveria i ka në vëmendje të veçantë dhe është sfidë e jona për të garantuar që të kemi rritje të ardhurave të pensionistëve dhe të kemi një jetë sa më të denjë për ta”.

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja tha se aktualisht  po punohet për të rishikuar skemën e pensioneve e cila mund të jetë gati brenda muajit tetor ndërsa premtoi se bonusi këtë vit do të jetë më i lartë.

“Po përqendrohemi tek barazia mes profesioneve me të ardhura të njëjta. Synim është që të shohim nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, që janë në një nivel sot, për shkak të skemës dhe kontributeve të tyre që në mënyrë të ligjshme të përcaktuara ndër vite kanë atë nivel të ardhura, dhe duhet të ndërhyjmë për ato kategori që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës dhe duhet të jetë në proporcion me nevojat që kanë. Po mundohemi të rrisim të ardhura në përgjithësi por ka shumë rëndësi tregu i punës, formalizimi, paga e të ardhurave. Po punojnë që të kemi një rritje të shpërndarjes së mirëqenies”.

Synimi kryesor i indeksimit të pensioneve  është  kompesimi i rritjes së çmimeve të shportës për të ruajtur fuqinë blerëse të pensionistëve./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!