Edhe Lushnja, ndonëse burim për shumë prodhime bujqësore, nuk i ka shpëtuar rritjes së çmimeve në këtë fundviti. Krahasuar me një vit më parë çmimet në Lushnje janë rritur me 10 përqind.
Agrumet po tregtohen me 1000 lekë të vjetra për kg, kurse një kg kungull ka kapur çmimin rekord 2500 lekë të vjetra. Ky është tregu më i madh në vend, i cili dikton çmimet në tregjet e tjera. Tregtarë dhe prodhues kërkojnë të përfitojnë nga ditët e fesatve për të shitur më shtrenjtë produktet e konsumit ditor. Nuk ka rëndësi nëse është mall importi apo i vendit, çmimet rriten për atë produkt qeë gjendet me pakicë.
Tregu i fruta perimeve është i tejmbushur. Të gjithë nxitojnë të bëjnë blerjet e fundit për festën e ndërrimit të viteve. Edhe këtë vit, tregtarët janë të zhgënjyer nga fitimet, ndonëse kanë rritur çmimet fuqia blerëse ka rënë.
Rritjes së çmimeve nuk i kanë shpëtuar as prodhimet vendase të cilat janë më pakicë për shkak të dëmeve që solli përkeqësimi i motit. Mollët janë një tjetër produkt i shtrenjtë pasi një kg po tregtohet me 1800 lekë të vjetra dhe në varësi të cilësisë shkon deri në 2000 lekë të vjetra.Ndërsa perimet si: karrotat, lukelakra, domatja dhe kastraveci janë rritur me 30-50 lekë për kg. Blerjet që po bëhen në momentet e fundit nga konsumatori janë gjithnjë e më të pakta, por nga portofoli do të nxjerrin më shumë lekë se një javë më parë.
Gazetare e ABC News: Anila Sefa