Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rreziku nga dielli/ Të gjithë në plazh, por duhet kujdes për lëkurën nga temperaturat e larta

schedule19:00 - 16 Qershor, 2026

schedule 19:00 - 16 Qershor, 2026

Temperaturat e larta dhe rrezet e forta të diellit që shoqërojnë stinën e verës kërkojnë një kujdes të shtuar ndaj lëkurës. Mjekët dermatologë apelojnë që ekspozimi në diell të bëhet me kujdes, pasi rrezatimi ultraviolet (UV) mund të shkaktojë jo vetëm djegie të lëkurës, por edhe plakje të parakohshme, njolla pigmentare dhe probleme më serioze shëndetësore në afatgjatë.

Orët më të rrezikshme për ekspozimin në diell mbeten ato nga ora 11:00 deri në 16:00, kur intensiteti i rrezeve është më i lartë. Gjatë kësaj periudhe rekomandohet që qytetarët të shmangin qëndrimin e zgjatur në ambiente të hapura dhe të përdorin masa mbrojtëse si kapelat, syzet e diellit dhe veshjet e lehta që mbulojnë trupin.

Sipas dermatologes Dr. Brunilda Bardhi, mbrojtja e lëkurës duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme gjatë muajve të verës.



“Përdorimi i kremit mbrojtës me faktor SPF 50 është një nga masat më të rëndësishme për të mbrojtur lëkurën nga dëmtimet e shkaktuara nga rrezet UV. Kremi duhet aplikuar rreth 20 deri në 30 minuta përpara ekspozimit në diell dhe të riaplikohet çdo dy orë, veçanërisht pas notit apo djersitjes.”

Ndërgjegjësimi i qytetarëve për rreziqet që sjell ekspozimi i pakontrolluar në diell duket se është rritur vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë njerëz po tregojnë kujdes jo vetëm për të shmangur djegiet, por edhe për të parandaluar plakjen e parakohshme të lëkurës, humbjen e elasticitetit, shfaqjen e rrudhave dhe njollave të errëta që lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin e vazhdueshëm ndaj diellit.

Në një verë që po shënon temperatura gjithnjë e më të larta, kujdesi ndaj lëkurës nuk është vetëm çështje estetike, por mbi të gjitha një investim për shëndetin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!