Quique Setien e ka të qartë që mund të shkarkohet nga drejtuesit e Barcelonës. 61-vjeçari zëvendësoi Ernesto Valverden në stolin e skuadrës katalanase 13 janarin e këtij viti, por nuk ia ka dalë të bëjë një punë të mirë.
Barcelona dështoi në luftën për titull kampion kundër Real Madrid, teksa ndodhet në garë për një vend në çerekfinalet e Champions League. Ndeshja e parë në “San Paolo” u mbyll 1-1, ndërsa ajo e kthimit do të zhvillohet në datë 8 gusht.
Në një prononcim për Cadena Ser, Setien shfaqet i mërzitur dhe flet shkurt rreth së ardhmes së tij, fjalë ku dallohet situata e keqe në kampin katalanas dhe rreziku që trajneri të shkarkohet nga detyra.
“Shpresoj të jem akoma trajner i Barcelonës në sfidën e kthimit kundër Napolit në Champions League, por nuk e di nëse do të jem sërish këtu”, deklaroi Setien pas humbjes me Osasunën. /abcnews.al