Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku – Bërdyna ka bërë të ditur se është rritur numri i nxënësve të infektuar me COVID-19. Maloku – Bërdyna, duke folur për procesin mësimor në shkollat e Kosovës, tha se numri i nxënësve aktivë është rreth 6,700.
“Nga 298,029 nxënës, aktivë me COVID-19 janë 6,687. Në 672 shkolla është duke u zhvilluar mësimi me prani fizike që i bie që shumica e shkollave ende vazhdojnë të operojnë me skenarin rikthimi”, deklaroi Maloku – Bërdyna.
Zëvendësministrja Maloku – Bërdyna tha se drejtoritë komunale të arsimit kanë raportuar rreth 1,500 raste të mësimdhënësve aktivë me COVID-19.
“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës, sipas të dhënave që kanë dërguar drejtoritë komunale, me COVID-19 janë gjithsej 1,489 mësimdhënës”, tha Maloku – Bërdyna.
Sipas saj, për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë, gjithsej 90 shkolla janë duke e zhvilluar mësimin sipas skenarit C, pra mësim online.
Ditëve të fundit në Kosovë është rritur numri i rasteve pozitive me COVID-19. Vetëm më 27 janar Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka raportuar 3,917 raste pozitive dhe gjashtë raste të vdekjes së qytetarëve. Aktualisht, në Kosovë janë 28,751 raste aktive.
Javëve të fundit në Kosovë janë rritur rastet e infektimit të grup-moshës 0 deri në 19 vjeç. /REL/