Rrëfehet në gjykatë shoferi që çoi në polici Fadil Kasemin

schedule18:25 - 20 Shtator, 2018

schedule 18:25 - 20 Shtator, 2018

Në një seancë të tensionuar, Gjykata për Krimet e Rënda u njoh me dëshminë e shoferit që çoi në polici Fadil Kasemin, pak minuta pasi ai vrau ish-bashkëshorten gjyqtare. Dëshmitari tha se ishte kërcënuar me armë nga Kasemi, por dëshmia u kundështua me forcë nga avokati i të pandehurit.

“Kishte një pistoletë në dorë. Më tha që kishte vrarë gruan dhe nëse nuk e hipja në makinë më vriste edhe mua”. Klodian Tafa e rrefeu në këtë formë momentin kur Fadil Kasemi i kishte dalë para automjetit, pak çaste pasi kishte vrarë ish-bashkëshorten gjyqtare, Fildes Hafizi. Tafa ishte dëshmitari i radhës në gjyqin ndaj Kasemit tek Krimet e Rënda, ku tregoi si e kishte hipur në mjet pas ngjarjes dhe dërguar në Komisariatin nr.1. Në lidhje me këtë episod, prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.

Dëshmitari tha se ishte ndjerë i kërcënuar nga Kasemi për shkak të pistoletës që mbante në dorë ndaj e kishte hipur në makinë.

“Kërkonte të ecja, tha dëshmitari, pasi na ishte vënë pas një motor policie. Kalova kryqëzimin poshtë xhamllikut me semafor të kuq.  Pas kryqëzimit ai hoqi karrikatorin nga pistoleta. Aty u qetësova. Pas disa metrash në drejtim të Brrylit u futa kundravajtje drejt Komisariatit nr.1 dhe pasi mbërrita u futa në oborrin e tij. Fadili zbriti me pistoletën në dorë dhe aty u shoqërua nga disa punonjës policie”.

Seanca u përcoll me tension dhe replika të forta mes dëshmitarit dhe avokatit të Kasemit. Sipas avokatit, dëshmitari nuk tregonte të vertetën, pasi klienti i tij nuk e kishte marrë peng. Avokati kërkoi ballafaqim të dëshmitarit Tafa me tre oficerët e policisë që u përball Kasemi në oborrin e komisariatit nr.1, të cilët dëshmuan në seancat e mëparshme se i pandehuri u kishte thënë “erdha të dorëzohem”.

Kërkesa u pranua nga gjykata, ndërsa ballafaqimi pritet të bëhet në përfundim të pyetjes së gjithë dëshmitarëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!