Personazhi i radhës në emisionin “Pas Mesnate” është pianisti dhe pedagogu, Marin Gjollma. Ai është kthyer pas në kohë, ku ka zbuluar se dashuria për pianon i lindi nga mamaja dhe rrugëtimi i tij filloi në moshën 5-vjeçare.
Sakaq, Marini theksoi pasioni për pianon e mundi atë të futbollit.
“Duart për herë të parë në piano mi ka vendosur mamaja ime që është pianiste. Ajo ndikoi shumë që unë të filloja të mësoja instrumentin e pianos dhe të kisha një lidhje me instrumentin e muzikës. Kam qene 5 vjeç. Gjatë fëmijërisë sime kam pasur dy pasione, sigurisht që muzika ishte një pasion që më mbërtheu, por kisha dhe një pasion tjetër, futbollin. Përveç se studioja dhe sigurisht që gjeja kohën për të bërë mësimet, isha i çmendur pas topit. E kam pasur si dëshirë që të bëhesha futbollist, por në klasë të tetë vendosa që rruga që duhet të ndjekë është muzika, është piano. Ka qenë para provimit të fundit të pianos. Pas një bisede me prindërit, në një ditë të bukur, ata sigurisht nuk më kishin ushtruar presion që unë të nxitoja për të marrë një vendim të tillë. Një ditë të bukur, unë shkoj dhe i them, që unë do të ndjekë rrugën e muzikës, do të vazhdojë Liceun”.
Sa i përket kthimit në Shqipëri, duke lënë pas karrierën e suksesshme në Gjermani, ai u shpreh se nuk është penduar, pasi muzikë e mirë bëhet kudo.
“Ka qenë një vendim që ka qenë si pasojë e një analize mjaft të thellë. Edhe në mënyrë spontane faktikisht, sepse në mendjen time ka ekzistuar gjithmonë ideja që muzika mund të bëhet në çdo vend. Pra, ti mund të jesh dhe në mesin e një xhungle ose pylli. Edhe këtu muzika ka qenë që në kohët e lashta, na shoqëron për çdo gëzim dhe hidhërim.
Jo nuk jam penduar që jam kthyer. Lumturia ka shumë stacione, por nuk jam i penduar. Kam optimizëm dhe gjithmonë e ushqej veten me një frymëzim, i cili ka lidhje me vetëekzistencën”./abcnews.al