“Rrahman Morina” i Maqedonisë së Veriut/ Haziri: Politika e denigrimit, mendësi e Kurtit

schedule16:30 - 29 Prill, 2024

schedule 16:30 - 29 Prill, 2024

Deklarata e Bujar Osmanit nga BDI për Hristijan Mickoskit ka shkaktuar shumë reagime.

“Ne qeverinë e shohim si mundësi për t’i arritur këto qëllime për dallim nga ato që janë të gatshëm që për qeveri të rrezikojnë edhe popullin dhe vullnetin e popullit. Një gjë dua t’u them; kjo gjë nuk do të ndodhë, vullneti i popullit nuk mund të shkelet as sot, as asnjëherë. Më vjen keq që kemi ardhur në situatë që të rikthejmë memorien e Jugosllavisë kur Beogradi i thoshte shqiptarëve, pavarësisht se çfarë dëshironi ju, Rrahman Morina do t’ju përfaqësojë juve dhe Rrahman Morina me cinizëm qeshte para vullnetit të popullit”, u shpreh Osmani.

Kjo deklaratë është komentuar dhe në emisionin “Ballkan Update” nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka deklaruar se Osmani e ka përmendur për të rikthyer hilaritetin në kuptimin politik për konsum të brendshëm.

Ai ka theksuar politika e denigrimit është bërë një mëndësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe po vazhdon të shpërndahet dhe nëpër vendet e tjera.

“Rrahman Morina ka qene identifikim i tradhëtisë kombëtare, dhe tregoi një hilaritet ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë. Bujar Osmani e ka përmendur për të rikthyer hilaritetin në kuptimin politik për konsum të brendshëm, duke gjetur disa individë që përfitojnë për interesat personale. Politika e denigrimit është bërë mendësi te partitë politike shqiptare në veçanti. Por politika e denigrimit është bërë një mendësi që zoti Kurti e ka mendësuar në Kosovë dhe vazhdon po shpërndahet nëpër vende të tjera.

Mënyra duke denigruar rivalin politik është mënyra më e lehtë dhe kjo ka funksionuar në Kosovë dhe uroj të mos funksionojë në Maqedoninë e Veriut dhe askund tjetër, sepse në Shqipëri është diçka tjetër, por këtu te ne popullata shqiptare ka rol dhe uroj mos të funksionojë.

Më lejo ta uroj për suksesin Bujar Osmanin, suksesin brenda shqiptarëve, sepse nuk po flas për Maqedoninë e Veriut, ne bëmë një garë brenda vetvetes dhe uroj që në zgjedhjet parlamentare të ketë kuptim tjetër gara atje dhe përfaqësimi sa më i favorshëm të garantojë një përfaqësim më të madh në ekzekutiv”, tha Haziri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!