Rotacioni politik në Greqi, Maqedonia e Veriut nuk trembet

schedule17:20 - 8 Korrik, 2019

schedule 17:20 - 8 Korrik, 2019

Maqedonia e Veriut nuk i trembet rotacionit politik në Greqi. Për zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, Marrëveshja e Prespës nuk rrezikohet pasi është e garantuar ndërkombëtarisht. Por për analistët, mes dy vendeve mund të shfaqen probleme të reja.

Për zv/kryeministrin për Çështjet Evropiane Bujar Osmani, tranzicioni i pushtetit në Greqinë fqinje është më i rëndësishëm se sa kush është fituesi. Ai ka uruar Kirjakos Micotakisin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke shfaqur shpresën se bashkëpunimi i filluar me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Bujar Osmani, zv/kryeministër: “Mbështetja që Greqia ka bërë për vendin pas nënshkrimit të Prespës ka dhënë një dinamikë të re për rajonin dhe besoj se qeveria e Micotaqis do vazhdojë të mbështesë integrimin për Maqedoninë e Veriut. I uroj dhe shpresoj të vazhdojmë bashkëpunimin”.

Osmani shton se Marrëveshja e Prespës është e garantuar ndërkombëtarisht dhe se edhe më tej do të jetë bazë për përparimin e marrëdhënieve mes dy fqinjve. Por, Lupcho Petkovski nga Organizata Joqeveritare EVROTING, nuk përjashton probleme gjatë zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Lupço Petkovski, “Evrotink”:  “Unë mendoj se 90% e kontestit për emrin ishte rreth antikës, se kush kishte të drejtë t’i shfrytëzojë mitet e antikës. Me Marrëveshjen e Prespës ne hoqëm dorë nga kjo. Nga njerëzit që janë të kycur në proces dëgjoj se në këtë pjesë, në cështjet arsimore, arkeologjike, historike ka një progres. Këtu do të dakordohemi, për dallim nga bullgarët, me të cilët nuk pritëm probleme, por ja që ndodhën. Por mendoj se më shumë probleme do të ketë në ato rregullore, të lëna qëllimisht rreth shfrytëzimit të emrit Maqedoni në çështjet tregtare”.

Për profesorin Denko Maleski, është e pasigurtë se si do të jetë qasja e Athinës zyrtare rreth anëtarësimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.

Denko Maleski, ish-diplomat:  “Asgjë nuk mund të përjashtohet. Ne do të donim që Ciprasi të vazhdonte për shkak të realizimit më me sukses të Marrëveshjes së Prespës, por populli grek vendosi ndryshe. Cipras pagoi cmimin e “Prespës” vecanërisht në pjesën veriore të vendit”.

Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se Kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryetarin e Demokracisë së Re dhe Kryeministrin e ri të Greqisë Kirjakos Micotakis. Sic thuhet në një njoftim të Qeverisë, dy kryeministrat kanë shfaqur shpresën për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shkupit e Athinës dhe se me padurim pret takimin e parë mes tyre. Me këtë rast Kryeministri Zaev ka falënderuar edhe ish-Kryeministrin Cipras për bashkëpunimin ku janë vendosur themelet e një miqësie të përhershme dhe sic thuhet vizionit për një Ballkan të ri të paqës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!