Roskovec/ Familjarët e vrasësve, të shokuar

schedule21:26 - 1 Mars, 2018

schedule 21:26 - 1 Mars, 2018

Në Roskovec jetojnë familje e Hysnie Hoxhallari dhe të Kasem Pirjasi që u arrestuan për vrasjen e dyfishtë në Vlorë. Sapo u përhap lajmi, familjarët kanë mbetur të shokuar.

Të tronditur, por të aftë për ta gjykuar të bijën janë prindërit e 32-vjeçares, Hysnie Hoxhallari. Në fshatin Strum të Roskovecit, aty ku jetojnë dy familjet e Hysnie Hoxhallarit dhe Kasëm Pirjasi, lajmi për arrestimin e tyre është përhapur shpejt.

Zylfie Rama: “Hiç gjë s’kemi kuptuar. Po unë një gjë të kisha kuptuar, i prisja kokën kështu, por nuk kuptova gjë”.

Nga ana tjetër e fshatit jeton familja e gruas së Kasëm Pirjasit, bashkëshortja me dy fëmijët prindërit dhe motrën e saj. Të mjerë deri në atë pikë sa arrestimi i 26-vjeçarit duket vetëm një problem më shumë.

Entela Pirjasi: “Babi im me babin e saj është çun halle, çun daje. Nuk e prisja asnjëherë”.

Duket se autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Vlorë e kanë vazhduar jetën normalisht pa shfaqur asnjë shenjë pendese, që për familjarët mund të cilësohej si sjellje e çuditshme. Madje në fjalët e bashkëshortes së 26-vjeçarit ka një tendencë për ta marrë në mbrojtje.

Entela Pirjasi: “Dilte në punë me lopatë se gjë tjetër nuk bënte, se çfarë do bënte”?

Kasëm Pirjasi jeton me familjen e gruas që prej martesës me të këtu e 5 vjet më parë. Ai vetë është nga zona e Beratit. Nga kjo martesë, ai ka dy fëmijë një prej të cilëve 2 vjeç me zhvillim të vonuar. Edhe Hysnia ka një fëmijë për të cilin po kujdeset tani e motra e saj. 32-vjeçarja dhe Kasëm Pirjasi mendohet të jenë njohur në fshat, në kohën kur Hysnia nuk ka qenë e martuar. Kjo e fundit është kushërirë me gruan e 26-vjeçarit, Entelën. Duket se lidhja ka vazhduar edhe pas martesës.

Kasëm Pirjasi dhe Hysnie Hoxhallari akuzohen për vrasjen e Olsi Hoxhallarit dhe Selkije Hoxhallarit, përkatësisht bashkëshorti dhe vjerra e Hysnies. Ngjarja ndodhi në Vlorë në 21 Janar, ku nënë e bir u gjetën të djegur në banesën e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!