Sandro Rosell qëndroi 4 vite në postin e presidentit të Barcelonës (2010-2014), periudhë gjatë së cilës skuadra katalanase fitoi 9 trofe. Më pas erdhën akuzat për pastrim parash dhe organizim të shoqatës kriminale, për të cilat kaloi dy vite në burg.
56-vjeçari ka folur rreth situatës së ditëve të vështira për La Sexta, teksa tregon detaje nga jeta në izolim. Ai fitoi garën e fortë dhe bleu Neymar në vitin 2013, veprim i cili i krijoi shumë armiq dhe probleme pafund.
“Kam ndjerë mllef, por jo shumë. Nëna ime ma përsëriste gjithmonë që nuk fiton gjë prej mërisë. Por e kam ndjerë, edhe pse mësohesh me qëndrimin në burg. Nuk më pëlqente të qëndroja në radhë për ndonjë shërbim, por mësohesh.
Qëndrimi në burg është një kurë e mirë në lidhje me përulësinë. Më ka ndihmuar fakti që kam qenë presidenti i Barcelonës, më thërrisnin ‘El Presi’. Bisedonim shumë për futboll aty. Kundër meje nuk ishte një gabim gjyqësor, ishte një komplot.
Neymar? Ne nuk kemi bërë asgjë të gabuar, varet nga interpretimi. Blerja e tij më solli shumë armiq. Fjala armik është i fortë, por ishte shumë më tepër sesa një rivalitet”, përfundon Rosell. /abcnews.al