Ronaldo paralajmëron largimin nga Real Madrid

schedule13:10 - 27 Maj, 2018

schedule 13:10 - 27 Maj, 2018

Cristiano Ronaldo paralajmëron largimin nga Reali i Madridit. Ylli portugez u duk sikur tha fjalë lamtumire në përfundim të finales së Championsit.

Për herë të parë nuk ishte ai kryesori.

Cristiano Ronaldos iu vodh protagonizmi nga Gareth Bale në finalen e Kievit, dhe portugezi gjeti një mënyrë tjetër për të kthyer gjithë vëmendjen nga ai.

Me të përfunduar sfida ndaj Liverpulit, me fitoren e Championsit të tij të pestë në karrierë, superylli portugez, pati disa fjalë për të thënë për të ardhmen.

Cristiano Ronaldo: “Tani le të shijojmë momentin, në ditët e ardhshme, po, do të jap një përgjigje për klubin dhe për tifozët që kanë qenë gjithnjë me mua. Ishte shumë mirë, ishte shumë bukur të luaje për Realin e Madridit, në ditët e ardhshme do të flas”.

Fjalët e tij shkaktuan një tronditje jo të vogël.

Trajneri Zidane u shpreh në konferencën për shtyp se i takon vetë lojtarit që të vendosë, por ishte me besim se Ronaldo nuk do të largohet.

Futbollistët po ashtu as nuk e çonin në mendje ikjen e tij, ndërsa presidenti Perez i kujtoi kontratën që ende ka me Realin.

Gjerësisht me të u morën mediat.

“Marca” bën lojë shkronjash: Të pathyeshëm, duke futur numrin 13 në mes të fjalës. Kristiano hedh hije dyshimi: Ishte bukur të luaje për Madridin!

Më e drejtpërdrejtë gazeta “AS”: Dy bomba të Bejlit dhe një e Cristianos! I pari zgjidhi ndeshjen me golat e tij, i dyti kërcënoi me largimin!

“El Mundo Deportivo”: Bomba CR7! Një Champions i dhuruar. Dy gafat e portierit Karius ndihmuan Realin!

“Sport” po nga Barcelona: Bomba Cristiano! CR7 lajmëron largimin pas fitores së Championsit, po kështu mendon edhe Bejli! Një finale qesharake!

Gazeta “ABC”: Real Madridi në legjendë … Ronaldo nuk gjen rastin e duhur për të lajmëruar largimin!

Nga Anglia, komentet janë të tjera dhe nuk merren me Ronaldon.

“Deili Meil” shkruan “Ekstazi” për Bale dhe “agoni” për Salahun.

“Sandi Ekspres”: Bale hedh nokaut Kopin! Moment magjie!

“Star Sport”: “Bale epik! Mrekullia e tij vendosi për Realin pas dëmtimit të Salahut!

Natyrisht, Ronaldo nuk ishte i interesuar vetëm për të ardhmen, por edhe për trofeun që sapo fitoi.

Cristiano Ronaldo: “Të gjitha finalet janë të komplikuara. E dinim që Liverpuli do ta niste fort ndeshjen, dhe skuadrat angleze janë të tilla, por jemi fitues të drejtë. Shënuam 3 gola, mund të shënonim edhe më shumë. Hymë në histori dhe e merituam më shumë”./abcnews.al